-Kronikë, Aktualitet, Kryesore, Te Fundit, Të Gjitha

Kompania e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit nën hetim për trafik ndërkombëtar droge

11390039_837026819668564_4149992024773619597_n

Agjencia doganore që po hetohet për trafikimin e 8 tonëve hashash është në pronësi të gruas së kryetarit të bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini. Nga të dhënat në QKR rezulton se “Ujori shpk” është pronë e Xhuljana Sejdinit. Kamioni me 8 ton drogë kaloi dy dogana atë të Qafë Thanës dhe të Durrësit më pas u kap në Itali. Për këtë trafik të madh ndërkombëtar janë arrestuar doganierë e policë si dhe një punonjës i agjencisë së Sejdinit.

ABC News nga burimet e prokurorisë ka mësuar se agjencia doganore ka si administratore Rezarta Shehun, por sipas regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit ajo rezulton si pronë e bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Xhuljana Sejdini.

Ditën kur kaloi kamioni me drogë, kompania “Ujori Shpk”, kishte përfaqësues në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës Maliq Kadillin, tashmë i arrestuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. I dyshuari Kadilli në emër të agjensisë doganore “Ujori shpk”, ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski.

Agjencia doganore “Ujori”, fillimisht në doganën shqiptare ka deklaruar se kamioni me drejtues Stanojoskin, kishte si destinacion dalje nga Shqipëria pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Por rreth mesditës së datës 5 shkurt 2017, i arrestuari Kadilli i është drejtuar doganës shqiptare, me një kërkesë, duke kërkuar ndryshimin e destinacionit të kamionit.

Sipas kërkesës, dalja e kamionit që drejtohej nga Stanojoski nuk do jetë Hani i Hotit por pika e kalimit kufitar të portit të Durrësit, pasi deklarata e parë është bërë gabimisht.

Kamioni, mësohet se në portin e Durrësit nuk i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm pavarësisht ndryshimit të destinacionit duke hipur kështu në tragetin e linjës Durrës-Ankona. Por me të mbërritur në portin e Ankonës, autoritet italiane kanë konstatuar se brenda rimorkios së kamionit ishin fshehur 8 ton hashash, të cilat u bllokuan me cilësinë e provës materiale.

Nga ana tjetër burimet pranë Prokurorisë për Krime të Rënda i thanë ABC Neës, se nuk përjashtohet nga hetimi edhe agjencia doganore “Ujori shpk” si bashkëpunëtor në rrjetin e trafikut të drogës.

Pasi përfaqësuesi i tyre në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, tashmë është arrestuar dhe dyshohet se është pjesë e rrjetit të trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukruar kriminal. Për llogari të këtij hetimi, mësohet se prokuroria ka sekuestruar të dhënat e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe po verifikohen të gjitha praktikat dhe procedurat e ndjekur nga kjo kompani në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës dhe portit të Durrësit.

*foto nga votimet në Elbasan, Qazim dhe Xhuljana Sejdini

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko