Komente

Kush bllokon rrugët është rock si programi im në radio


               Publikuar në : 12:35 - 18/12/18 |
ri.de.

Enkel Demi

Në këtë çast që po shkruaj, studentët e Mjekësisë kanë bllokuar kryqëzimin tek 9 katëshet (Rruga e Barikadave), ndërsa ata të Universitetit të Sporteve kanë bërë të pakalueshëm “21 dhjetorin”. Unë vetë nuk jam në Club FM që të them: “Bëni shumë mirë që bllokoni rrugët, se më shtohet audienca, meqë njerëzit e kapur gafil nuk kanë ç’të bëjnë tjetër vetëm se të dëgjojnë radion”.

Në fakt, e kam vdekje që të shpjegoj stilin tim radiofonik sarkastik, cinik, shpesh të pamëshirshëm duke nisur me veten, njerëzit që më rrethojnë në jetë, për të vazhduar me qeverinë, opozitën, televizionin e kështu me radhë. Tek e fundit përse duhet ta bëj? Kam dhjetë vjet që realizoj të njëjtin program dhe ndjekësit tanë në “Makinë me dy timonë” që janë të shumtë, por me gjithë mend të shumtë janë mësuar, e pëlqejnë.

Saimir Tahiri nuk përtonte të më shkruante, kur ishte në opozitë dhe unë e përcillja drejtpërdrejtë. Lali Eri sot, gjithë enturazhi i Edi Ramës, Lul Basha me të gjithë me radhë, Arvizu, Lenc Vangjeli, sipërmarrës, kolegë, njerëz me qasje publike, mike të mira si Iva Tiço, Mira Kazhani… dhe pikërisht Mira që ishte nxehur dje se kishte mbetur peng i studentëve te Zogu i Zi, e shkruan batutën time, të cilën për hir të së vërtetës e bëj sa herë ka trafik. Fjala vjen, të njëjtën gjë bëja në verë këtë vit, kur investimet e mrekullueshme të qeverisë e bën rrugën Tiranë – Durrës kaps. Po more e kam thënë se është lajm i shkëlqyer që ka trafik, pasi qeveria e ka objektiv kryesor të reformave të saj të mendojë për programin tim duke i shtuar audiencë me njerëzit e mbetur në makina. Por, i shkëputur nga konteksti, unë dola dje si një njeri që thërrisja për bllokim rrugësh, madje si nxitësi i vetëm i kësaj pune, meqë kam një mikrofon tejet të zëshëm. Kaq serioze u bë kjo punë sa në darkë më njoftuan që dikush atje lart ishte shqetësuar për thirrjet e Kel Demit, sa po vriste mendjen ta ndëshkonte. Serioziteti i ndëshkuesëve në këtë vend është burimi kryesor i qyfyres, me të cilën jam rritur profesionalisht qysh në vitet ’95-’96, kur ndaja me Arban Hasanin cilët ishin shiksat që ndiqnin atë dhe cilët ishin të mitë.

Por, një merak kam sot para se të hyj në radio dhe të them ndonjë thagmë tjetër; unë nuk jam revolucionar, e urrej populizmin. Jam shumë konservator që të besoj në revolucione, por jam njeri që kam qenë pjesëmarrës në një pjesë të mirë të tollovive të Shkodrës së viteve ’90-‘91, atje ku ma kishte nxjerrë shkollën e lartë partia. Pra, studentët sot më kthejnë në pafajësinë e një kohe, ku unë besoja dhe me sa kisha mundësi luftoja të vinte ndryshimi. Në atë kohë, ne kishim përballë Gramoz Ruçin, ministër i Brendshëm i Ramiz Alisë. Ata sot kanë prapë përballë Gramoz Ruçin, kryetarin e Kuvendit të Edi Ramës. Në atë kohë na kërkonte dialog sekretari i parë i Partisë së Punës, sot e kërkon Kryeministri. Në atë kohë këpucët e mia fusnin ujë dhe nuk e ngopja dot barkun me bukë në mensën që bënte veç purri. Janë njësoj, të veshur keq, të pangrënë, pa gjumë, të lodhur nga punët që bëjnë dhe natyrisht mund të mbajnë çanta “Prada” kallpe ose i kanë blerë te Gabi, ashtu si mua dikur më fali zotni Jaku një palë këpucë mali prej Caritass-it. Dhe si e thotë Mira fajin e ka kjo qeveri që ka bërë një gropë me m…, ndaj e ngrenë gishtin e mesit.

Unë nuk i nxis as sot, as kurrë të bllokojnë rrugët, sepse e di që gjithsecili ka halle, madje të mëdha, por nëse do bija vetë në çark ju betohem miket e mia të mira që do pranoja të m’i vidhnin ata djem e vajza dy, tre a katër orë nga jeta ime, sepse Edi Rama më ka vjedhur pesë vjet, kurse klasa politike që ai përfaqëson denjësisht si majtas, si djathtas më ka vjedhur 28 vjet.

Ndaj, unë po shkoj në radio, në punë time, se më shtohet audienca.

Burimi: 27.al

Pas