-Politikë, Aktualitet, Te Fundit, Të Gjitha

Kokëdhima: Tahiri është përdorur për punë të pista. Si i kërkova Ramës të mos e bënte ministër

Kryetari i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, replikon ashpër me ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, i cili e akuzoi dje në Kuvend si frymëzues për kanabizimin e vendit. Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Kokëdhima thotë se Rama, Tahiri, drejtorët e policisë dhe bota e krimit në vitin 2016 e shndërruan vendin në parajsë të kanabisit në Europë dhe në të vetmin vend të botës, ku qeveria drejtonte trafikun e drogës. Kokëdhima pranoi se kishte qenë kundër emërimit të Tahirit si ministër, 4 vite më parë, sepse ai ishte një individ me vese dhe që është përdorur për punë të pista në zgjedhje dhe brenda PS-së.


Pjesë nga deklarata e Kokëdhimës

Tre vite më parë kur prezantova projektin tim për legalizimin e kanabisit medikal Rama tha se ishte e parakohshme ideja ime. Por e gjeti në kohë, që pas shfarosjes së Lazaratit, ku i mori jetën edhe një oficeri policie, ta bënte Lazarat gjithë Shqipërinë. Asgjë nuk u bë publike dhe ky plan ogurzi kishte në krye të piramidës mafioze kanabiste Ramën, Tahirin, drejtorët e policisë nëpër qarqe dhe botën e krimit të cilës iu premtua ruajtja shtetërore dhe lehtësitë për ta trafikuar brenda dhe jashtë, në këmbim të 30 për qind të prodhimit dhe pagesave të tjera nën dorë që i përfitoi Shtabi i Tahirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Tahiri nuk gabon kur thotë: “Qeveria e kaluar e krijoi një standard për kanabisin”. Po. Ai ishte standardi i piramidës mafioze qeveri-krim, një skemë që nuk ka ndodhur askund tjetër deri më sot.

Tahiri nuk meritonte kurrë që të përfshihej në punët e shtetit dhe të qeverisë. Duke e njohur jetëshkrimin dhe formimin e tij plot vese unë u përpoqa ta ndaloja emërimin e tij si ministër i brendshëm, 4 vite më parë. Ai ka bërë punë të ulëta dhe gjëra të këqija për nevojat e larta të lidershipit, është përdorur për sa e sa vepra të errëta, vjedhje e manipulime votash, flirte e blerje zgjedhjesh me botën e krimit dhe të drogës, për kurthe, intriga dhe luftëra pas shpine ndaj kolegëve në parti.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko