Komente, Te Fundit, Të Gjitha

Kokedhima: Rama po na con drejt Beogradit 

Koco Kokedhima 

Veprimi i Ramës për publikimin e listës së zezë të personave është bërë jo rastësisht në ditën e Samitit të Triestes. Ky veprim absurd, antiligjor, antidemokratik, antiinstitucional, i pamoralshëm, joetik dhe antinjerëzor u bë për të larguar vëmendjen nga ky samit ku Shqipëria dështoi. Në Samit Shqipëria nuk prezantoi asnjë projekt. Ndërkohë që vende të tjera marrin pjesë, prezantojnë projekte, fitojnë financime dhe marrin grante, ne shkojmë pa projekte.

Edhe propozimi i Samitit për të bërë një bashkim doganor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me lider Serbinë, për Kosovën është provokativ ndërkohë që Serbia akoma nuk e ka njohur pavarësinë e saj.

Nga ana tjetër, të thuash se ne po bëjmë zonë të lirë ekonomike me lider Serbinë, kjo është e pamjaftueshme. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në vitin 2007. Mallrat lëvizin lirisht dhe pa dogana mes vendeve ballkanike.

Gjithsesi vendime të tilla të rëndësishme dhe strategjike si ky që diskutohet në Samitin e Triestes duhet t’i nënshtrohen një informimi të gjerë të opinionit publik në Shqipëri dhe t’u jepet kohë njerëzve, ekspertëve, partive, gjithë institucioneve, inteligjencës, grupeve të interesit dhe OJF-ve, që të analizojnë avantazhet dhe disavantazhet.

Në Trieste u prezantua projekti për të bërë një Jugosllavi të re me lider Serbinë, pa Kroacinë dhe Slloveninë që janë në BE dhe me Shqipërinë dhe Kosovën brenda. Më bëri përshtypje ajo që kishte shkruar kryeministri ynë se “Unë do ta mbështes fort këtë ide”, kur ne këtu nuk kemi asnjë informacion për këtë çështje, as jemi njohur me këtë projekt.

Ne prisnim që të hapeshin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe nuk e dinim që duhet të kalojmë nga Beogradi për të shkuar në Bruksel. Kjo nuk ishte ajo që prisnin shqiptarët. Për këtë çështje partia jonë, Zgjidhja, do luftojë që të bëhet një diskutim shumë i gjerë dhe të mos lejojë t’i marrë vendimet kryeministri, por t’i marrë populli me referendum, pasi të jemi të bindur e të qartë se çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim nga ky plan.

Popullit i është premtuar se do të hapen negociatat për anëtarësimin e plotë në BE dhe nuk i është thënë se duhet të bashkohemi një herë nën “Jugosllavinë e re” me lider Beogradin për të shkuar në Europë. Opinioni shqiptar i ka mësuar informacionet për propozimet e Shqipërisë në këto samite nga mediat e Beogradit dhe të Berlinit, jo nga qeveria jonë. Kjo është një çështje që ka lidhje drejtpërdrejt me popullin shqiptar, ka lidhje me zhvillimet e ardhshme afatmesme dhe afatgjata, ka lidhje me premtimet që politikanët që drejtojnë Shqipërinë i kanë bërë popullit, ka lidhje edhe me premtimet që diplomatët e vendeve partnere i dhanë popullit tonë përpara zgjedhjeve.

Ne nuk mund të marrim me mend se çfarë thuhet atje ku nuk jemi, por populli ynë ka të drejtë që të dijë të vërtetën e gjërave dhe nuk mund të themi se mjafton që këto të vërteta i ditka Edi Rama. Deri tani, zyrtarët e BE-së, komisioneri Hahn dhe përfaqësuesit e qeverisë së Tiranës na kanë thënë se, me kalimin me sukses të zgjedhjeve dhe me implementimin e reformës në drejtësi do të çelen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe jo në “Jugosllavinë e Re”. Me sa duket, Rama nuk po na çon drejt Brukselit, por drejt Beogradit!

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko