-Ekonomi, Aktualitet, Te Fundit

KLSH denoncon skandalin e Doganës: Evazion 1.7 milionë USD me “Birra Peja”

Ka një rregull në ekonomi. Sa më e madhe taksa, aq më e madhe bëhet joshja për ta shmangur atë. Në finale, shmangja e një takse të lartë çon në një deformim të konkurrencës. Në rast se te dy produkte të njëjta, njëri e paguan taksën dhe tjetri jo, sigurisht që çmimi në treg i atij që bën kontrabandë do të jetë më i lirë.

Dhe sigurisht që konsumatori do të shkojë te prodhimi më i lirë, duke çuar në vështirësi financiare atë që i paguan rregullisht taksat e tatimeve. Rasti i fundit është raporti i KLSHsë për Doganën e Tiranës, ku qartësisht është gjetur një evazion dhe rrjedhimisht një deformim i fortë tregu.

Bëhet fjalë për “Birra Peja”, një prodhim kosovar, që po konkurron, në bashkëpunim me Doganën, të gjithë prodhimin vendas, duke shmangur taksat. Për ta qartësuar më shumë. Qeveria shqiptare aplikon dy nivele akcizash për birrën. Për fabrikat që prodhojnë deri në 200 mijë hektolitra në vit akciza është 36 lekë/litër. Për fabrikat që prodhojnë mbi 200 mijë hektolitra në vit akciza është 70 lekë/litër.

Politika, edhe pse qeveria ka synuar gjithmonë të ndihmojë importin, është që fabrikat vendase me kapacitet të vogël të paguajnë më pak akcizë dhe ato të huaja me kapacitet të madh të paguajnë më shumë. Ndryshimi i kapaciteteve, pra sasisë së prodhimit, lidhet edhe me kostot e tjera dhe çmimin.

Por kjo ka shërbyer për të kundërtën në dy rastet e zbuluara nga KLSH për “Birra Peja”. “Nga auditimi i ushtruar nga KLSH në degën e Doganës Tiranë për vitin ushtrimor 2015, në lidhje me subjektin ‘Kuinda’ sh.p.k., që importon artikullin ‘Birra Peja’, u konstatuan dy dukuri me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit”, thuhet në raportin e KLSH-së.

RASTI I PARË

KLSH-ja, gjatë kontrollit në doganë ka zbuluar se gjatë vitit 2014 dhe 2015, në doganë ka ardhur një shkresë për “vërtetimin e prodhimit të birrës për nivelin e prodhimit vjetor, përkatësisht të viteve 2013 dhe 2014, nga fabrika ‘Birra PEJA’ në Kosovë.

Në bazë të këtij deklarimi, drejtoria e akcizës në doganë dërgon një shkresë: “Dërgim vërtetimi prodhimi për subjektin ‘Kuinida’ sh.p.k.”, dërguar degës së Doganës Tiranë, përcaktohet se: “…Në importin e birrës nga kjo fabrikë, ky subjekt do të paguajë akcizën e birrës me nivelin e diferencuar prej 360 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.

Në sistemin Asycuda, është regjistruar Nipt-i i subjektit në kodin shtesë B1N…”. Sipas këtij vërtetimi në doganë, “nga subjekti i sipërcituar kanë vijuar importet për periudhën 23.01.2015 – 22.10.2015 duke çliruar për qarkullim të lirë sasinë prej 5,535,364 litrash birrë të markës ‘Peja’, me origjinë nga Kosova, me pagesë të akcizës me nivel të reduktuar sipas shkallës tatimore 360 lekë/HL/shkallë alkoolmetrike.”

Pra, për ta qartësuar, KLSH tregon se subjekti “Kuinda” sh.p.k. ka importuar birrë “Peja” dhe ka paguar akcizë sikur fabrika ka një kapacitet nën 200 mijë hektolitra në vit. Por ka ndodhur diçka tjetër. Hetimi Tatimor ka kryer verifikimin e sasive të prodhimit për vitin pararendës të Kantinës “Peja”.

“Me shkresën nr. 19437/2. prot. datë 15.10.2015 të DPD, Autoritetet Doganore të Kosovës konfirmojnë se sasia totale e prodhimit të produktit birrë të Kantinës “Peja” për vitin 2014 është mbi 200,000 HL”. Sipas KLSH-së, pas vërtetimit të mashtrimit me kapacitetin dhe shmangies së detyrimeve, Dogana ka marrë një masë administrative më të vogël ndaj subjektit, sesa ajo që përcakton ligji.

Me pak fjalë, sipas asaj që raporton KLSH-ja, subjekti, edhe pse i kapur në mashtrim, është favorizuar sërish, këtë herë duke i zvogëluar penalitetet. Ja çfarë thotë KLSH: “Penalitetet e mbajtura në procesverbal janë mbajtur në shkelje të nenit 261.2 të KD, pasi shmangia nga detyrimet doganore është mbi 5 % e detyrimeve doganore të paguara. Efekti financiar negativ për buxhetin e shtetit vetëm për periudhën e sipërcituar është 195,496,852 lekë. Autoriteti Doganor nuk ka dalë me vendim administrativ, veprim ky jo në përputhje me kërkesat e nenit 287.1 dhe 289.1 të Kodit Doganor.

Mosveprimi nga ana e autoritetit doganor ka sjellë një efekt financiar negativ në të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, në total në shumën 195,496,852 lekë”. Por duket se Doganat, pas kërkesës së KLSH-së, kanë reaguar.

“Nga auditimi i zbatimit të rekomandimeve u konstatua se dega e Doganës Tiranë, duke marrë në konsideratë të plotë rekomandimin e lënë nga KLSH-ja për subjektin ‘Kuinda’, ka dalë me vendimi nr. 300, datë 02.06.2017, në vlerën 390,993,704 lekë”.

RASTI I DYTË

Por duket se fitimi nga evazioni dhe deformimi i tregut ka qenë shumë joshës. KLSH ka zbuluar se i njëjti subjekt ka importuar “Birra Peja”, por këtë herë duke ulur çmimin e deklaruar. Në lidhje me importet e kryera nga subjekti privat “Kuinda”, ky subjekt ka importuar dhe deklaruar në Drejtorinë e Doganës Tiranë artikullin “Birrë Peja” me origjinë të mallit dhe vend eksportues Kosovën.

Praktikat doganore nga sektori i vlerës janë trajtuar me transaksion, jo në përputhje me kërkesat e udhëzimit të ministrit të Financave, pasi: Artikulli paraqitet në çmim shumë të ulët referuar të dhënave të disponueshme; Origjina e artikullit është nga NEU; Artikulli, nga i njëjti subjekt eksportues, paraqitet me çmime të ndryshme;

Referuar importeve të subjektit dhe shqyrtimit të dokumentacionit të dosjes së vlerës, subjekti nuk i përmbush kushtet për transaksion”. KLSH ka bërë një raporti dhe ka dalë në konkluzionin se: “Në total efekti financiar negativ me të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit është 12,127,888 lekë”.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko