-Teknologji

Keqpërdorimi i të dhënave, amerikanët humbasin besimin te Facebook-u

               Publikuar në : 23:05 - 09/04/18 |
Gerta

Amerikanët po e humbasin me shpejtësi besimin te Facebook-u pas problemeve të shumta rreth asaj se si kompania e trajton informacionin personal dhe për faktin që lejon potencialisht përhapjen e të ashtuquajturave lajme të rreme.

Ndërkohë që themeluesi i kompanisë, Mark Zuckerberg, vjen të martën në Uashington për të dëshmuar përpara ligjvënësve, një sondazh i Aleancës për Qytetarët Dixhitalë, që merret me sigurinë në internet, zbulon se pothuajse një në çdo katër amerikanë thonë se “Facebook-u nuk është një kompani e përgjegjshme, sepse në shumicën e rasteve vë fitimin mbi të gjitha, para se të përpiqet të bëjë atë që duhet”.

Më pak se një e treta e të aketuarve mendon se Facebook-u, me 2 miliardë përdorues në mbarë botën, është një “kompani e përgjegjshme, sepse përpiqet të bëjë gjënë e duhur në shumicën e rasteve, edhe nëse kjo i dëmton fitimin.”

Gjithashtu, një në çdo shtatë amerikanë thonë se “Facebook-u ka pasur një ndikim negativ mbi debatin politik”.

Gjashtëdhjetë e një për qind besojnë se “Facebook-u ka dëmtuar politikën amerikane dhe e ka bërë atë më negative, duke mundësuar manipulime dhe gënjeshtra që polarizojnë njerëzit.”

“Facebook-u është në udhëkryq për shkak të paaftësisë së tij, gati një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për të kontrolluar efektet përçarëse mbi shoqërinë”, thotë Tom Galvin, Drejtor Ekzekutiv i Aleancës për Qytetarët Dixhitalë.

“Nga shpërndarja e informacioneve të rreme dhe manipuluese e deri te shndrrimi në një mjet të ngjashëm me Rrjetin e Errët për tregtinë e paligjshme, – thotë Galvin, – Facebook-u duket se po humbet besimin e publikut amerikan. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, imponimi i rregullave mbi këtë kompani mediash sociale nuk do të jetë i largët”.

Sondazhi i realizuar me 925 amerikanë, zbulon se 53 për qind e të aketuarve, kundrejt 26 për qind, thonë se është detyrë e Facebook-ut për të hequr ose paralajmëruar përdoruesit për lajme që mund të jenë të rreme. Rreth 60 për qind thonë se kompania nuk po bën sa duhet për të parandaluar përhapjen e informacionit të rremë.

Problemet e Facebook-ut janë shtuar vitet e fundit me pohimet se kompania ka lejuar fushatat politike të hyjnë në të dhënat e përdoruesve. Ish ekzekutivë të kompanisë kanë thënë gjithashtu se Facebook e ka ashpërsuar debatin politik në vend dhe se përdorimi i tepruar i tij mund të jetë i dëmshëm për të rinjtë.

Kompania ka lejuar që disa vrasje dhe vetëvrasje të transmetohen drejtpërdrejt në platformën e saj. Ligjvënësit pritet të shqyrtojnë masa për të imponuar një rregullim të mundshëm nga ana e qeverisë mbi mediat shoqërore. Kreu i Facebook-ut Zuckerberg ka thënë se është i hapur ndaj masave të tilla të mundshme. /voa/

Pas