Aktualitet

Katër të ekzekutuarit e revoltës së Spaçit

Nga Kastriot Dervishi

Pas shtypjes së revoltës, regjimi kishte nevojë të jepte një shembull ndëshkimi të menjëhershëm kundër të dënuarve. Hetimet për grupin e parë u bënë në Spaç dhe në Rrëshen. Në përfundim të hetimeve, hetuesi Shaban Dani me miratimin e prokurorit Sotir Vaso hartoi aktakuzën kundrejt grupit të 12 të pandehurve. Gjykata e Lartë e drejtuar nga Hilmi Telegrafi me ndihmësanëtarë Mit’hat Goskova e Ymer Aliko, duke pasur prokuror Zaim Myftarin u zhvendos në Spaç.

Për herë të parë, Spaçi po shërbente edhe si seli e Gjykatës së Lartë. Me vendimin nr.1, datë 24.5.1973, pra një ditë pas shtypjes së revoltës, gjykata deklaroi fajtorë Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashajn dhe Pal Zefin, duke i dënuar me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë së pjesës së tij dhe me humbjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangëllia, Lush (Paulin) Vata, Jorgo Papa, Hodo Sokoli dhe Luan Koka u dënuan me nga 25 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë dhe me humbjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet kohë.

Për t’u shënuar te ky proces është fakti se Pal Zefi në hetuesi thotë se ushqimi në burg u jepej i helmuar për t’i çuar në vdekje të ngadaltë. Zefi deklaroi se nuk e donte këtë pushtet se e kishte dënuar me pa të drejtë dhe e mbante në burg.

Hetuesit e procesit të pare ishin: Shaban Dani, Fejzo Aloçi, Pelivan Luçi, Misto Shunda, Rustem Çipi, Vasil Milo, Irfan Shaqiri, Dhimo Sinani, Hamdi Meta, Sali Budo.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko