-Kulturë, -Tendencë, Metro, Te Fundit

Kaonë: Një poezi në dizajn

Shkruan: Albatros Rexhaj

Gjatë gushtit plot vapë kur pothuajse të gjithë ishin në ethe pushimesh, kreatorja e modës Kaonë Duriqi solli “The Red Carpet Series”, një koleksion fustanesh mahnitës të menduar për evente të tipit galla. Koleksioni është frymëzuar nga suksesi i Kaonës në Hollivud, debutimi i saj historik në tapetin e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscars 2017, me idenë që fustane të tilla mund të vishen në evente të ngjashme në Shqipëri e Kosovë.  

Në linjë të plotë me trendin minimalist shumë të pëlqyer në botën e yjeve të vërteta, koleksioni është i dominuar nga gjetje kreative, në pamje të parë të thjeshta, por të menduara që të shërbejnë si grep për të kapur trazimin e vëmendjes, pikërisht atë pjesë të qenies sonë ku bashkëjetojnë admirimi dhe xhelozia. Ky detaj, sa engjëllor ashtu edhe djallëzor, shpërfaqet në tërësi në të gjithë setin fotografik të realizuar nga veterani i fotografisë Avni Selmani, me modele Dania Bazaitin dhe ndihmuar nga ekipi fantastik i grimit nga Kryolan Prishtina.

Stili i Kaonës përbën një aromë freskie të mbushur me një qasje kreative ndryshe, me synimin që brenda një krijimi të dyzojë disa elemente, rryma, qasje, e deri te ide, që në pamje të parë mund të duken tërësisht në kundërshtim me njëra tjetrën, por që, brenda formulës kreative të Kaonës, funksionojnë natyrshëm. Veshur me një nga fustanet e këtij koleksioni, një damë, qoftë e re apo një yll që ka kapur të gjitha majat, do të duket tërheqëse, glamuroze, do të të mbushë me dëshirë për ta admiruar atë, por edhe më një ndjesi frike të nxitur nga bindja se ajo vjen nga një univers tjetër sipëror, të paarritshëm për ne.

Për nevojat e këtij shkrimi do të trajtoj vetëm disa nga dhjetë krijimet e këtij koleksioni. Në reflektimin tim, krejtësisht personal, fustani “The Pastel Poem” përbën pikën kulmore të koleksionit, për mua, një poezi në dizajn. Palët e shtresuara, si një detaj që tërheq vëmendje; madhështia e gjoksit femëror si një element natyror që ngjiz tundimin dhe sensualen; bukuria e qartësisë së këmbëve, si nyjë ku merr krahë eleganca; dhe sidomos ngjyrat PASTEL, ngjyrat e vetë jetës dhe dashurisë, Kaona i ka përjetuar si një lloj poezie në vete. Në një event ku kërkohet glamour dhe klass, emocioni që jep ky fustan, mund të këndohet si një këngë dashurie që ushqen bukurinë dhe qejfin e pastër që shpërthen nga ndjesi e të qenit në qendër të vëmendjes. Jo rastësisht, këtë fustan, nga koleksioni i saj “The Red Carpet Series”, Kaona e ka quajtur “The Pastel Poem”. Vërtet, një poezi në dizajn!

Fustani tjetër që ma kë pëlqyer shumë është “Skyline”, ku Kaona ndërthur idenë e yjeve të qiellit me ngjyrën lejla që simbolizon brumin aristokratik. Në një event ku kërkohet vizualitet, ky fustan reflekton dëshirë të pastër dhe vullnet për të lënë gjurmë, një ndjesi si dallgë mendore. Veshur me ketë fustan, një damë do të duket si një meteor shkëlqyes që furishëm vjen nga qielli dhe na ngulitet në mendje.

Ngjyra e portokallit gjithnjë e gjen një mënyrë që të rikthehet në skenë dhe të bëhet pjesë e trendit. Nuanca të ndryshme të kësaj ngjyre kemi pasur rastin të shohim në shumë pasarela të këtij viti, por edhe në evente superyjesh. Është interesante të ceket se disenjatorët shqiptarë i janë shmangur përdorimit të kësaj ngjyre, ndërkaq Kaona portokallit i qaset si lule dhe jo si fryt. Në një event ku një damë synon të tregojë se ndihet e freskët, por edhe sensualisht e shijshme, ky fustan përbën nuancën e duhur të shijes. Këtë fustan Kaona e ka quajtur “The Orange Blossom”, në mendjen e një artisti, çelja e lules së portokallit lë pikërisht këtë ndjesi dhe shije: sado që duket bukur nga jashtë asgjë nuk merr kuptim të vërtetë nëse nuk shijohet.

Lojën me ngjyra Kaona e vazhdon edhe të fustani “The StarDust” ku Kaona përpiqet të shpërfaqë dilemën e pothuajse çdo femre moderne, sidomos të atyre që ditët e veta duan t’i përjetojnë si shpërthime të të gjitha ngjyrave të bukura, të mos jenë mainstream dhe të rrinë sa më larg mendjeve të cekëta. Në një event ku synohet të shpërfaqet liria e shpirtit femëror, fustani “The StarDust”, secilës damë, që ka sado pak vetëbesim, do t’i shtojë krahë, pak pluhur yjesh të nevojshëm për të lulëzuar dhe shkëlqyer në kopshtin e më të bukurave.

Për mua, një nga gjetjet interesante të këtij koleksioni është përgjigja që Kaona i jep pyetjes: si ta veshim të bardhën? Kjo është një pyetje të cilës të gjithë dizajnerët dhe stilistët vazhdimisht i rikthehen e të cilës Kaona ka ditur t’i japë një përgjigje të duhur. E bardha, sipas disave, nëna e të gjitha ngjyrave, ndërkaq sipas disa të tjerëve ngjyra që shpreh mungesën e çdo gjëje. E vërteta është se e bardha i shpreh po të dyja, si botën tonë të ëndrrave ashtu edhe atë të mospërkatësisë. “The Frozen Fantasy” mbase është fustani emblemë në të gjithë koleksionin, ndërkaq në një event ku synohet të tregohet sinqeriteti dhe pastërtia e botës së ëndrrave të një femre, por edhe zhgënjimi i saj me egërsinë e realitetit tonë, ky fustan është gjetja e duhur. Meshkujt rëndom tremben nga ideja që e dashura apo partnerja të vishet me një fustan të bardhë si ky, që në vete ngërthen të gjitha detajet më të bukura të një nuseje të bukur, por, thellë brenda vetes, secili nga ne, një damë të veshur me këtë fustan dhe me një unazë perlë në dorë, nuk do të ngurronte ta dashuronte deri në adhurim.

Plani i Kaonës është që disa nga fustanet e këtij koleksioni të prezantohen në një sfilatë përmbyllëse për vitin 2017, ndërkaq, pos në rrjete sociale, koleksioni do të prezantohet edhe më një fashion book virtual, një risi në botën shqiptare të modës, si pjesë e projektit të ri Dada.al që synon të shërbejë si nyjë e botës shqiptare të modës.  

(ky reflektim është krejtësisht personal)

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko