Aktualitet, Kryesore

Kaloi vetingun, ONM kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Tiranës

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon sot shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative në Tiranë Gentian Medjan, ndonëse u konfirmua në detyrë nga KPK më 1 gusht.

Rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja, ONM-ja ia ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë. Komisioneri Publik do ta shqyrtojë rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.
Ky vendim ende nuk është njoftuar.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

KONFIRMIMI NGA KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  zhvilloi më 1 gusht seancën dëgjimore të Gentjan Medjas, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë, Tiranë. Në seancë gjyqtari Medja ka zgjedhur të jetë vetë i pranishëm pa praninë e avokatit.

Sipas raportit të ILDKP-së, gjyqtari ka sjellë raporte saktësie, pa fshehje dhe deklarime të rrema.

Edhe pas hetimit të pavaruar të KPK-së, rezulton se nuk ka pasuri të paluajtshme të padeklaruara dhe pasaktësi në llogaritë bankare.
Si pasuri të tij, Medja ka deklaruar një autoveturë tip Benz blerë në vitin 2009 me vlerë 250 mijë lekë të kursyera nga paga për të cilat s’ka dyshime; kursime familjare me vlerë 1.4 milion dhe likujditete me burime të ligjshme. Aktualisht gjyqtari jeton me qera në Tiranë.

Në emër të prindërve të tij është një apartament në Shkodër me sipërfaqe 65 m2 për të cilin gjithashtu nuk ka dyshime, dhe 144 aksione në një shoqëri cigaresh që nuk sjell asnjë të ardhur.

Përsa i përket hetimeve për figurën, DSIK raporton se është i përshtatshëm pasi nuk janë gjetur lidhje të dyshimta. Por sa i përket aftësimit profesional, gjyqtari nuk ka respektuar afatet ligjore të çështjeve, i mungojnë procesverbalet dhe ka parregullsi në njoftimin e palëve.

Parregullsi, të cilat Medja i ka justifikuar me faktin që Gjykata Administrative që në momentin kur u krijua u përball me fluks të lartë dhe për t’i kryer të gjitha proceset ishte fizikisht e pamundur. / Shqiptarja.com

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko