-Politikë, Aktualitet, Te Fundit, Të Gjitha

Jorida Tabaku kthen vëmendjen te viktimat e regjimeve totalitare/ Të krijohet një ditë në kujtim të tyre

Jorida Tabaku me anë të një statusi të sajin në “Facebook” ka  rikthyer vëmendjen e saj te viktimat e regjimit komunist në Shqipëri. Sipas saj, neglizhenca e qeverisë karshi të përndjekurve politikë është e theksuar, dhe se ata mbi të gjitha meritojnë të rikujtohen dhe të nderohen. Ajo shprehet se ata më shumë se kushdo, meritojnë të kujtohen dhe madje ka kërkuar edhe falje në emër të partisë së saj,  që nuk e kanë krijuar më parë një ditë të tillë.

Statusi i plotë:

In memoriam për ato që na mundësuan të mos harrojmë fjalën liri.

Kur një kolegia ime, e huaj, që ishte shumë pak familjare me historinë e Shqipërisë më pyeti se çfarë do të thoshte për një shqiptar të kishte kaluar jetën nën diktaturën komuniste mu feks në mendje një fjali e Milan Kunderës që tingëllon kështu “Beteja e njeriut kundër pushtetit është beteja e kujtesës ndaj harresës”.

Më shumë se sa atë ditë, kjo fjali sot më rreh si çekan në mendje, duke më kujtuar heronjtë e heshtur të diktaturës që luftuan me mish e me shpirt për 50 vite për të mos lejuar që emri i tyre të harrohet. Sepse diktatura nuk është se vetëm një përpjekje për të zhdukur kujtesën e gjithsecilit prej nesh për të ndërtuar mbi harresën tonë një kujtesë tjetër. Jo më larg se tre vjet më parë, kryeministri aktual dekoroi pa iu dridhur dora xhelatët e regjimit të shkuar, që kishin rrahur dhe goditur pa mëshirë sa e sa të burgosur politikë. Një përpjekje e qartë për të fshirë nga kujtesa jonë e përbashkët dhunën e ushtruar për 50 vite me radhë nën përpjekjen e relativizmit të së djeshmes në interes të së sotmes.

Në një vend të robëruar për 50 vite nga një diktaturë gjakatare dhe çnjerëzore, ende sot nuk gjendet një ditë për të përkujtuar zyrtarisht dhe solemnisht viktimat e të burgosurit e saj. Për fatin e keq, në këtë ditë të shënuar mbi kujtesën e personave të dënuar dhe vrarë nga regjimet totalitare, të vjen ndër mend që të persekutuarit e regjimit komunist nuk kanë një datë të kushtuar atyre. A nuk është edhe faji i Partisë Demokratike që megjithëse një prej shtyllave të saj kryesore dhe pjesë identitare të saj ka ish të përndjekurit politikë?

Po! Padyshim që po! Në asnjë moment nuk do të hezitoja të kërkoja falje për forcën politike që përfaqësoj karshi atyre që kanë vuajtur dhe që me shpirtin e tyre kanë ngritur në këmbë një forcë politike që ngjalli shpresën e varrosur nga diktatura. Fatkeqësisht nuk jemi sjellë ashtu siç duhej karshi jush dhe mbi të gjitha kujtimit të një klase politike që i përkas dhe për të cilën ndjej po aq trishtim sa ju. U jemi borxhli 5487 zonjave dhe zotërinjve të pushkatuar nga një regjim totalitar, duke mos mundur t’i ndërgjegjësojmë brezat e rinj për krimet e kryera. U jemi borxhlinj 29.155 të burgosurve politikë apo 59 mijë të internuarve në fshatrat dhe zonat më të thella të vendit, duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

U jam borxhlinj familjes sime dhe të gjithë të përndjekurve të përvuajtur sepse nuk kam mundur të bëjë aq sa duhet në kujtim të asaj periudhe ku në muret e Spaçit, Tepelenës apo Burrelit shkruhej “o njeri, nuk mund të jetohet fare pa mëshirë”. Prandaj në nisje të sesionit të ri parlamentar, do të angazhohem bashkë me kolegët e mi për të ndërmarrë një nismë ligjore që edhe të pushkatuarit, të vrarët dhe të persekutuarit të kenë një ditë përkujtimore dhe një memorial të ri. Ky vend, kjo shoqëri u ka borxh atyre që dhanë jetën, gjakun dhe djersën secilit prej heronjve të burgosur sepse kërkuan liri.

Kjo, është më e pakta që mund të bëj në kujtim të atyre që thërritën për liri atëherë ku secili prej nesh strukej i frikësuar nga kjo fjalë.

“Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.”- Arshi Pipa

Foto e kryer ne ambientet e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko