Editorial

Jeruzalemi, vota e Shqipërisë dhe SHBA

               Publikuar në : 17:09 - 22/12/17 |
ri.de.

Nga Dritan LACI

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara rrëzoi dje me shumicë dërrmuese votash nëpërmjet një rezolute njohjen e njëanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli i bënë Jeruzalemit si kryeqyteti i ri i shtetit hebre. Ajo që ra në sy në këtë votim ishte vota pro kësaj rezolute e shtetit shqiptar, që e përkthyer ndryshe ishte një votë kundër interesave të Amerikës. Sigurisht që nuk do kishte përbërë habi nëse kundër Amerikës do kishin votuar vende si Greqia apo Serbia të njohura për antiamerikanizmin e tyre të theksuar apo Turqia në situatën politike ku ndodhet, por kur këtë e bën diplomacia shqiptare e cila ka përfituar shumë në aspektin gjeopolitik nga Amerika dhe thuhet se ka popullin më amerikandashës në Evropë, kjo sigurisht që bie në sy për keq dhe siç thonë Amerikanët në postdeklaratën e tyre pas këtij votimi; “Ne nuk harrojmë”. Po përpara se të hamendësojmë pasojat që mund të na sjellë hatërmbetja e paralajmëruar tashmë e Amerikës, le të ndalemi të vetë vota dhe sjellja e Shqipërisë në raste të ngjashme të mëhershme. Në fund të vitit 2012, qeveria shqiptare vendosi të abstenojë votën e saj për njohjen e Palestinës si shtet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke mos prishur qejf as me Izraelin dhe Amerikën, por as me vendet Islamike në Organizatën ku aderon. Por cfarë ka ndryshuar në kaq pak vite në orientimin e jashtëm të Shqipërisë, aq sa as të mos abstenojë por të votojë kundër interesave të Amerikës? Si mundet Shqipëria të marrë një risk të tillë të votojë kundër interesave të Amerikës, kur vende të njohura për ndikimin e brendshëm filorus si Ukraina, Polonia, Cekia e me radhë, vendosin të abstenojnë rezolutën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara? Nëse do ti referohemi linjës së deklaratave të Ministrisë së Jashtme për Jeruzalemin, vetëm dy javë më parë kreu i këtij dikasteri Ditmir Bushati shprehej në Kuvend se Shqipërisë i takon të mbajë një profil të ulët në këtë çështje dhe se qeveria shqiptare nuk vuan nga gjigandomania dhe se po kështu shteti shqiptar do të mbante të njëjtin qëndrim të pandryshuar ndër vite, I reflektuar të vota jonë në OKB, në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Në fakt vota e djeshme në OKB kundër interesave të Amerikës, më shumë tregon muskuj nga ana e Shqipërisë se sa mbajtjen e një profili të ulët në çështjen konkrete. Po kështu edhe pse rreket të hiqet si një qeveri që vuan nga nanizmi në gjeopolitikën botërore, Shqpëria me aktin e djeshëm po luan vigani-shkurtabiqi me Amerikën, ku në fund dihet kush fiton lojën. Edhe pse në deklaratën e sotme, Ministri i Jashtëm shqiptar u përpoq ta amortizojë qëndrimin pro rezolutës së OKB-së, duke thënë se kjo nuk ishte votë kundër Amerikës; edhe pse thotë që kjo votë është në linjë me Bashkimin Evropian; në thelb vota e Shqipërisë kundër Amerikës nuk ndryshon aspak nga vota kundër që i jep në vazhdimësi Rusia, Kina, apo Korea e Veriut, qëndrimeve të Amerikës. Ndaj sot duhet ta themi se me këtë vendim më shumë se interesat e Amerikës, kemi goditur interesat e vetë shqiptarëve, që duke u përpjekur të mos tregohen gjigandomanë duke cituar Ministrin tonë të jashtëm, janë treguar dritëshkurtër, në një gjeopolitikë globale ku votën e hedhin si të ishin oqean, ndërkohë që në fakt janë thjesht një pikë uji në rëndësinë e qëndrimeve që duhet të mbajnë, që edhe atë e përdorin për tu vetëmbytur si në rastin konkret.

Pas