Aktualitet, Editorial, Kryesore, Te Fundit, Të Gjitha

Investigimi/ Kush është Orest Sota biznesmeni me patentat e ish-ministrit. Aktiviteti tregtar nuk i justifikon 860 mijë eurot

 

Nga Desada METAJ-

 

Çfarë ndodhi me Orest Sotën dhe eurot e patentat e Saimir Tahirit padyshim është një rast që kërkon hetim më të thelluar dhe në ditët në vazhdim pritet të hidhet dritë edhe mbi çështje që këto kohë kanë ende hije sidomos për një pjesë të politikës. Por ajo ç’ka dihet qartë mund të shërbejë të paktën si indicie për të kuptuar se cfarë ndodh me shuma të mëdha parash dhe lidhjet që një ministër ka me një 25 vjeçar që mban patentën personale të ministrit në makinën e tij.

Ngjarja që ka nisur si një kapricio e një të riu që shëtit me ‘Range Rover’ ka si zanafillë policinë e Elbasanit, më saktë patrullën e policisë që ndalon Orest Sotën për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. 25 vjeçari që qarkullonte i penalizuar me heqjen e patentës nis debatin me punonjësit e policisë dhe largohet nga vendi ku ndodhej për t’u futur tek zyrat e kompanisë ‘Kurum’.

Në makinë ndodhen veç Orest Sotës dhe një shtetas tjetër i cili i identifikuar nga kamerat e sigurisë së Kurum-it bisedon qetësisht me policët kur ata afrohen dhe kontrollojnë makinën në të cilën gjenden plot 863.000 euro, dy leje për lundrim në emër të Saimir Tahirit dhe të bashkëshortes së tij.

Pa treguar shumë kujdes policia sekuestron eurot, duke fshirë ndoshta pa dashje dhe një pjesë të provave që mund të vërtetonin se kujt i përkiste kjo shumë parash dhe shoqëron Orest Sotën duke e pasqyruar ngjarjen në njoftimin e saj me një fjali të shkurtër ku inicialet e përdorura për një madhor ishin po aq të çuditshme sa dhe justifikimi që 25 vjeçari kishte përdorur për shumën e eurove dhe patentat e ish- ministrit. Për të paratë ai deklaroi se ishin të babait të tij, një tregëtar i njohur i hekurit që donte të blinte një sasi hekuri pranë kompanisë Kurum. Por le ti analizojmë me radhë faktet.

1. Kompania e 25 vjeçarit Orest Sota rezulton e regjistruar në vitin 2015 dhe të vetmet aktivitete ka rikonstruksionin e komisariatit 6 dhe ndonje vepër tjetër publike, ndoshta dhe me fondet e Komisioinit Europian ne Tiranë siç dhe pasqyrohet në faqen zyrtare të kompanisë “Eco construction and partners”. Në ekstratin e QKR kjo kompani nuk ka pasqyruar prej dy vitesh asnjë te dhënë për bilancet duke shtuar dyshimet të paktën për seriozitetin me të cilën operon në treg.

2. Justifikimi i dytë, ai që eurot janë të babait është po njësoj i dyshimtë. Kompania “Ikona” që merret me tregëtimin e hekurit vërtet mund të ketë qenë në treg që ne vitin ‘93, por zyrtarisht ajo ka nisur aktivitetin tregëtar në vitin 2002. Kompania ka qarkulluar rreth 15 milionë euro gjatë vitit të kaluar, por në arkën e saj në gjendje cash nuk gjendet asnjë euro ndërsa në llogarinë bankare të firmës gjenden vetëm 150.000 euro. Kjo sipas të dhënave zyrtare të marra nga QKR.

Pra shuma e 863.000 eurove është ende e paqartë se kujt i përket edhe për faktin se më një shumë të tillë ndoshta shtetasi i ndaluar nuk e ka ditur se mund të blesh 2 000 ton hekur, që normalisht është sasi që transportohet me vapor ose 70 kamionë të ngarkuar, që asnjë kompani nuk mund t’i shesë cash, gjë që e kanë mohuar dhe drejtuesit e kompanisë ‘Kurum’. Ata kanë deklaruar se nuk kanë vepruar kurrë me tregëtinë e hekurit në formën cash me shuma më të madhe se ato që lejon ligji shqiptar.

Fakti tjetër,ai i patentave familjare të ish-ministrit të Brendshëm është po ashtu një e dhënë që deri tani në mos ligjërisht e implikon Saimir Tahirin në historitë banale të shoferëve që shërbejnë si korrierë për të mbaruar punët e shefave. Të paktën këtë ka deklaruar Orest Sota që ndonëse nuk e ka pranuar që e njeh Saimir Tahirin personalisht për çudi figuron të ketë kaluar disa herë kufirin bashkë me të drejt Italisë, madje po krej “rastësisht” regjistrohen në sistemin TIMS duke kaluar në të njëjtën orë, asnjë sekondë larg njëri-tjetrit.

Të gjitha sa më lart sigurisht që janë pjesë e një hetimi nisur nga prokuroria e Elbasanit, por zhvillimet e kohëve të fundit, vënia e Saimir Tahirit në qendër të disa akuzave të rënda që ende janë duke u hetuar e rëndojnë edhe më shume situatën e një ish-drejtuesi të lartë të ministrisë së Brendshme që në kohën e lirë drejtonte skafe dhe skipper në det ndërsa patentën e drejtimit e gjen policia në një makinë më 863.000 euro që në rastin më të mirë mund të jenë përdorur për evazion fiskal ndërsa në rastin më të keq mund të “zhysin” ne detin e korrupsionit emra të rëndësishëm. /©Opinion.al

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko