-Kulturë

Golden Globes/ Fatih Akin fiton çmimin e madh, por fjalimi i Oprah Winfrey rrëmben gjithë vëmendjen

               Publikuar në : 23:20 - 08/01/18 |
Gerta

Regjizori gjerman Fatih Akin pati paraqitjen e tij të madhe në mbrëmjen gala të 75-të të Golden Globes. Filmi i tij “Nga asgjëja” fitoi një çmim. Por tema e mbrëmjes qe rasti Harvey Weinstein dhe pasojat.

Është tipike për mbrëmjet e dhënies së çmimeve Oscar dhe Golden Globe, që gjithmonë u bëjnë jehonë temave aktuale politike ose shoqërore. Kështu ka qenë në të kaluarën, kur aktoret dhe aktorët shpreheshin në skenë për misione lufte të SHBA që ngjallnin debate ose për racizmin. Kështu ishte edhe në mbrëmjen gala të 75-të të Golden Globes.

Rasti Weinstein hodhi hijen e tij edhe te Globes

Në fund të fundit, Hollivudi u trondit vitin e kaluar nga skandali rreth producentit amerikan Harvey Weinstein dhe nga akuzat e ngritura kundër tij për ngacmime të disafishta seksuale. Me këtë nisi një debat shoqëror i përmasave gjigande. Shumë gra e morën fjalën dhe ngritën akuza se qenë keqpërdorur – nga Harvey Weinstein dhe figura të tjera të mëdha të kësaj dege ekonomike.

Dhe puna nuk mbeti e kufizuar në industrinë e filmit – diskutime nisën edhe në degë të tjera të kulturës. Më në fund, debati u përhap edhe në shtete të tjera. Në Gjermani së fundi u ndez diskutimi për regjizorin Dieter Wedel.

Që në krye të Golden Globes të sivjetshëm shumë yje të kësaj industrie patën sinjalizuar se do të jepnin një sinjal simbolik në këtë mbrëmje gala. Më në fund u ra dakord që pjesëmarrësit të vinin të veshur krejt në të zeza. Nëse te meshkujt kjo ra pak në sy, pasi ata vijnë të veshur me kostume të errëta, te gratë e botës së filmit sinjali qe shumë i dukshëm. Pikërisht aktivitetet e Golden Globe dhe të Oscar-ëve herët e tjera kanë qenë parada laramane, në të cilat yjet femra prezantonin fustanet me ngjyra të stilistëve të tyre të Haute Couture.

Oprah Winfrey Oprah Winfrey

Oprah Winfrey kritikoi heshtjen

Disa prej laureatëve të çmimeve dhe atyre që mbajtën fjalime u shprehën edhe për këtë temë. Më qartë këtë e bëri prezantuesja dhe artistja Oprah Winfrey, e cila mori një çmim për karrierën e saj. Ajo tërhoqi vëmendjen ndër të tjera për faktin që në të kaluarën shpesh nuk e kishin dëgjuar, kur kishte qenë fjala për të kritikuar ngacmime seksuale. Në të ardhmen kjo do të jetë ndryshe.

Ndoshta edhe disa filma që morën çmime në mbrëmje mund t’i gruposh në këtë kuadër. Një nga dy çmimet kryesore e mori filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”. Në të bëhet fjalë për një nënë, e cila kërkon të sqarojë fatin e së bijës, të cilën ia kanë përdhunuar dhe vrarë. Policia hedh vështrimin mënjanë – edhe këtë kritikon filmi.

Edhe çmimi i dytë, për filmin “Lady Bird” në kategorinë “Komedi/Musical” flet për historinë e një gruaje të re në kërkim të vetes. Ajo duhet të çajë rrugën e saj jo së fundi edhe në botën e meshkujve.

Në fund, edhe në filmin gjerman “Nga asgjëja” në qendër të tregimit është një grua e re. Në dramën tronditëse të regjizorit Fatih Akin bëhet fjalë për një grua të dëshpëruar dhe më vonë të etur për hakmarrje, e cila duhet të përballojë vdekjen e të shoqit dhe të fëmijës së saj. Edhe nëse në veprën e Akinit në radhë të parë bëhet fjalë për temën e terrorit të djathtë, vepra e Akinit është edhe drama e një gruaje, e cila mbrohet ndaj dhunës dhe paragjykimeve, kundër injorancës dhe racizmit./DW

Pas