-Kronikë, Aktualitet, Te Fundit, Të Gjitha

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin: Aldo Bare të rigjykohet

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për Aldo Baren, për rikthimin e çështjes së tij në Gjykatën e Lartë. Pranimin e dosjes së ish – kreut të bandës së Lushnjes, i dënuar me burgim të përjetshëm, Kushtetuesja e arsyeton me faktin se atij i është shkelur e drejta e ankimimit, duke iu cënuar e drejta për një proces të rregullt gjyqësor.

“Gjykata konstaton se kërkuesi ka paraqitur pretendime të natyrës kushtetuese. Në këtë rast, Gjykata e Lartë këtyre pretendimeve duhej t’ju jepte përgjigje dhe nuk duhej të vendoste mospranimin e rekursit në dhomën e këshillimit.

Gjykata vlerëson se përderisa në rekurs ishin ngritur pretendime me natyrë kushtetuese, Gjykata e Lartë duhej të shprehej për to në respektim të rolit të saj kontrollues si gjykatë ligji dhe parimit të subsidiaritetit.

Gjykata çmon se në çështjen e kërkuesit, Gjykata e Lartë ka lejuar një proces të parregullt ligjor, pasi është mohuar aksesi në kuptimin substancial duke mos marrë përgjigje për pretendimet e ngritura prej tij, për respektimin e standardeve kushtetuese të procesit.”

Rikthimin për rishqyrtim të dosjes së Aldo Bares në Gjykatën e Lartë, Kushtetuesja e mori dy javë më parë, duke sqaruar zyrtarisht se kërkesa e të dënuarit për shfuqizimin e vendimeve të tre shkallëve të para gjyqësorit ishte pranuar pjesërisht nga kjo Gjykatë.

Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lartë në vitin 2015, duke konfirmuan vendimin e Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.

I njohur ndryshe si Alfred Shkurti, Bare u ekstradua nga Turqia në vitin 2009. Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzonte për krijimin e organizatës kriminale, 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim pronë si dhe trafik të drogës. /Tv Klan

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko