1

Futbolli në zi, ndërron jetë presidenti Fadil Vokrri

               Publikuar në : 11:07 - 09/06/18 |
rel d

Legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, të shtunën, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare.

Nga të dhënat e para dyshohet se Vokrri ka pësuar atak kardiak.

Kreu i Federates së Futbollit të Kosovës nuk i mbijetoi sulmit në zemër që pësoi sot në mëngjes, ndërsa ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Prej 10 vjetësh, Vokrri ishte në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kush ishte Fadil Vokrri, i cilësuar si Maradona? 

Fadil Vokrri konsiderohet njeriu më meritor për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA.

I lindur me 23 korrik 1960 në fshatin Sfeçël në komunën e Podujevës, Fadil Vokrri njihej edhe si Diego Maradona shqiptar, për shkak të mënyrës si lëvizte dhe forcës me të cilën gjuante.

Idhulli i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, Vokrri shkëlqeu me FC Prishtina, duke regjistruar madje disa paraqitje për përfaqësuesen e Jugosllavisë.

Një nga yjet e futbollit kosovar dhe jo vetëm, Vokrri, prej shkurtit të vitit 2008 ishte zgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës duke qenë protagonisti kryesorë i njohjes së futbollit kosovar nga organet më të larta të futbollit botëror si FIFA dhe UEFA.

Fadil Vokrri ka qenë dhe një prej futbollistëve më të mirë të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë së atyre viteve.

Karriera e tij filloi në vitin 1976 me skuadrën e Llapit, ekipi i qytetit të tij të lindjes Podujevës. Më pas në fillimin e viteve ’80 kaloi tek skuadra e Prishtinës, në ato vite pjesëmarrëse e kampionatit të ish-Jugosllavisë.

Brenda 6 vitesh ai spikati në futbollin e atyre viteve dhe menjëherë u rekrutua nga skuadra më e madhe e ish-Jugosllavisë, si Partizani i Beogradit. Atje ai shënoi 18 gola në 55 ndeshje të zhvilluara për 3 vite që u aktivizua.

Karriera e tij më pas kaloi kufijtë duke shkuar në Francë tek Nimes, për të kaluar në fillimin e viteve 1990 tek Fenerbahce apo Burges sërish në Francë.

Nga viti 1984 deri në vitin 1987 Fadil Vokrri ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Jugosllavisë me të cilën zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola./Opinion.al

 

Pas