-Kronikë, 2, Kryesore

FOTO/ Tritoli shkund Burrelin, dëme të mëdha në lokal dhe ndërtesat përreth

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e qytetit të Burrelit mbrëmjen e së dielës. Eksplozivi, tha policia, u hodh nga dritarja e tualetit të një lokali. Dëmet materiale janë të mëdha siç shihet në fotot më poshtë, por për fat jo në njerëz.
Nga forca e shpërthimit janë dëmtuar edhe dyer e dritare të ndërtesave të tjera pranë lokalit në lagjen “Partizani”, i cili ishte marrë me qira nga S.L 35 vjeç.

Policia njoftoi se grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë që në momentet e para pas ngjarjes, policia shoqëroi tre persona për t’u marrë në pyetje, pasi mund të kishin dijeni për shpërthimin.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 22.05 në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë për një shpërthim në një lokal në lagjen “Partizani” në qytetin e Burrelit. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku ka rezultuar se: Në lagjen ‘Partizani’, Burrel, në lokalin ‘Bar-Kafe’, të marrë me qera nga shtetasi S.L, 35 vjeç, banues në Burrel, dyshohet se nga dritarja e tualetit të lokalit është hedhur një sasi lëndë plasëse, e cila ka shpërthyer.

Nga shpërthimi nuk ka njerëz të lënduar, vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë janë duke u marrë në pyetje 3 persona që mund të kenë dijeni për këtë ngjarje. Shërbimet e policisë po krehin zonën si dhe janë ngritur disa pika kontrolli. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentin e ngjarjes. /Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko