-Destinacione

Foto reportazh/ Kriza e urisë zbraz Venezuelën, eksodi i njerëzve vijon pa u ndalur

               Publikuar në : 18:59 - 12/06/18 |
Gerta

Në Venezuel po ndodh një fenomen i pa zakontë, shtëpitë po braktisen dhe numri i emigrantëve po rritet masivisht nga dita në ditë.

Në një panoramë të sjellë nga fotoreporterja e njohur Mariana Vincenti gjithçka duket e zbrazët.

“Duket e zbrazët. Kudo që të shkosh – në rrugë, në klasa, kudo,” shprehet fotografja Vicenti.

Ishte pikërisht kjo heshtje e zymtë që e tërhoqi për të eksploruar migrimin e madh jashtë Venezuelës. Kaosi politik i vendit dhe kolapsi ekonomik i ka kthyer disa qytete normale në qytete fantazmë. Dyqanet janë bosh; shtëpitë janë lënë të mobiluara plotësisht sikur dikush ka dal të marr qumësht. Janë braktisur ashtu të rregullta.

Që nga shtatori 2017, zonja Vincenti ka fotografuar dhomat e lëna prapa nga bashkatdhetarët e saj në kërkim të një jete më të mirë. Mësohet se 1,5 milionë Venezuelanë kanë braktisur shtëpitë e tyre, por ky numër pritet të rritet.

“Çfarë ndodh me atë hapësirë, në një vend që është duke heshtur?” Tha ajo.

Në Venezuelë, shumica e të rinjve jetojnë me prindërit e tyre derisa martohen, kështu që dhomat e vizituara ishin të mbushura me kujtime.

Në kompozimin e fotografive të saj, zonja Vincenti synonte të bënte një portret të personit nëpërmjet hapësirës së tij / saj: “Unë u përpoqa të gjeja thelbin, të gjeja historinë e tyre dhe arsyet e tyre pse janë larguar, nëpërmjet gjërave që ata zgjodhën të lënë pas”, tha ajo.

“Ata mbyllin derën dhe jepnin çelësin për tek të afërmit pasi iknin”, tha zonja Vincenti.

Rizgjedhja e Presidenti Nicolás Maduro në një mandat të dytë në detyrë, në maj, nuk e ka ndihmuar aspak situatën, duke lënë shumë venezuelanë të frustruar, të pashpresë dhe të pafuqishëm, tregon zonja Vincenti. “Këto zgjedhje përfaqësonin një skenar që pa marrë parasysh se çfarë ndodhi, gjërat nuk do të fillojnë të përmirësohen”.

Me mijëra marshojnë çdo ditë mes vapës së padurueshme për të lënë pas shpine socializmin e shekullit të XXI-të dhe urinë që ai i solli.

Prej kohësh, Venezuela është përfshirë në një krizë të rëndë ekonomike, politike dhe sociale, nga e cila zor se do të dalë nëse vazhdon të qeveriset nga regjimi socialist i presidentit Nicolas Maduro, përgjegjësi për kolapsin e vendit.

Dyqanet e zbrazura dhe njerëzit që kërkojnë mes mbeturinave janë pamje të zakonshme në qytetet e Venezuelës, duke e bërë urinë, faktorin kryesor që i bën me mijëra të largohen.

Të intervistuar nga mediet, ata thonë se nëse nuk ushqen dot veten e familjen, problemet e tjera kalojnë në plan të dytë dhe gjetja e shpresës në vend duket e pamundur, prandaj largohen.

OKB-ja thotë se mbi një milion venezuelianë kanë emigruar në Kolumbi gjatë muajve të fundit, për të njëjtat arsye, por mbipopullimi atje ka shndërruar Brazilin në një destinacion më të preferuar.

Kalimi i kufijve që janë hapur në të dyja drejtimet nuk i zgjidh të gjitha problemet e tyre, por venezuelianët e varfër thonë se të paktën uria nis të largohet ngadalë, falë edhe mikpritjes së fqinjëve./G.Zaimaj-opinion.al

Pas