Komente

Ferma e kafshëve 2018

               Publikuar në : 19:37 - 29/09/18 |
ri.de.

Nga Desada Metaj

“Ata që hungërijnë si derra në llucën e gërrgërreve politike dhe mediatike po e ridhunojnë vajzën” – Pas tre ditë heshtjeje kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me skandalin e dhunimit të Xhisela Malokut nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja. Kryeminstri heshti për mënyrën flagrante sesi policia e fshehu ngjarjen dhe mbrojti dhunuesin. Sulmoi një ish-oficer të lartë të policisë, pasi u detyrua të largohej dhe të denonconte skandalin, për të cilin Emiljano Nuhu pretendoi që e kishin kërcënuar me armë vëllai i deputetit socialist dhe Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi.
Gjuha e reagimit të kryeministrit, në fakt nuk ndryshon shumë nga banaliteti që, rëndom, ka zënë vend në komunikimin publik, ku batutat e kafeneve janë shndërruar në taktikën Ramës për të tërhequr vëmendjen nga skandali i vërtetë i dhunimit të vajzës nga Nikla.

Por duket se kryministrit po i mbarojnë dhe mënyrat për të justifikuar përfshirjen e bashkëpunëtorëve të tij, të afërt me botën e krimit.

Jo shumë kohë më parë akuzave për ish-Kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, shefi i qeverisë i përgjigjej : “Kam besuar se të trajtosh një njeri si kriminel për vepra që nuk i ka bërë është kriminale, sikundër mbetet kriminale …çdo shpifje, akuzë, fabrikim që synon të kriminalizojë një person për shkak të detyrës. (31 maj 2016)

Gjuhë edhe më të ashpër kryeministri përdori kur Dritan Zagani denoncoi përfshirjen e ish ministrit Tahirit dhe njerëzve të afërt të tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike Kryeministri për Zaganin: ”një kriminel,nga ata që policia e rilindur ka patur kurajon t’i identifikojë dhe pastrojë, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte aksionet e policisë, sot është bërë heroi i opozitës dhe i mediave”. Retorikë kjo shume e ngjashme me atë që Rama përdori sot për oficerin Nuhu.

Por kur akuzat e Zaganit thuajse u vërtetuan dhe provat e përfshirjes së ish ministrin Tahiri në trafikun e drogës ishin të qarta, Edi Rama e largoi ministrin e tij të preferuar. Duke mos i kursyer as shkëmbimin në distancë të kërcënimeve me Tahirin.

Kështu ka ndodhur me Armando Prengën, me Arben Ndokën, me Mark Frrokun apo dhe me të tjerë bashkëpunëtorë të afërt të kryeministrit që, çuditërisht, kanë gjithmonë disa emra, shumë histori burgu dhe shumë dënime. Ndërsa duhet besuar se aftësitë e tyre ne menaxhim duken të jenë kaq të mira, sa Edi Rama nuk e drejton dot më shtetin pa njerëz me të shkuar kriminale.

Kështu që nuk ka asnjë habi pse djali i deputetit Rrahman Rraja sillet si bandit dhe nuk i trembet ligjit. Kultura e mosndëshkimit tashmë është rrënjosur thellë në mendjen dhe mentalitetin e deputetëve dhe pinjollëve të tyre. Sepse askujt deri më sot nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, nga ish ministrat e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, tek deputetët e larguar nga ligji i dekriminalizimit apo tek ata që as nuk i fshehin më lidhjet me ish trafikantë dhe banditë. Migjeni do të thoshte se “de jure na qeveris një derr i kënaqun me fytyrë Sokrati”.

/Opinion.al

Pas