-Teknologji

“Facebook” publikon të dhëna tronditëse të nivelit të abuzimit

               Publikuar në : 18:41 - 16/05/18 |
Gerta

Ndërtoi një kompani me më shumë se dy miliardë përdorues, por Mark Zuckerbergut tani po i kërkohet me forcë që të kontrollojë elementët më të këqij të këtij komuniteti.

Për herë të parë dhe nën presionin e qeverive të ndryshme në botë, “Facebook “po publikon të dhënat e tij të brendshme, për të treguar nivelin e abuzimit në rrjetin e tij.

Në 3 muajt e parë të vitit 2018, përmbajtjet e dhunshme që u eliminuan nga “Facebook” u rritën me thuajse 200%, në krahasim me fundin e vitit 2017. Bëhet fjalë për 3.4 milionë postime të dhunshme në 3 muajt e parë të vitit. 86% e kësaj përmbajtjeje të dhunshme u diktua nga sistemet automatike të “Facebook”.

Po këto sisteme zbuluan dhe ndaluan 21 milionë postime me përmbajtje seksuale, 837 milionë postime të gjeneruara nga programe, ose siç njihen ndryshe “spam”, dhe 1.9 milionë postime me propagandë terroriste.

Këto miliona postime u hoqën nga “Facebook” para se përdoruesit e rrjetit social t’i shihnin. Ekspertët thonë se sistemet automatike do ta ndihmojnë “Facebook”, që të zgjidhë disa nga problemet kryesore, por kufizimet e teknologjisë janë të dukshme.

Për sa u takon postimeve që nxisin urrejtje, sistemet automatike diktuan vetëm 38% të tyre. Shumica e tyre u diktuan dhe u raportuan nga përdoruesit. Në fakt, sistemi i “Facebook” stërmundohet shumë për të diktuar postimet që nxisin urrejtje, saqë vet kompania pranoi se as që e ka idenë sa postime të tilla ka në rrjetin e saj.

Kjo ndodh sepse, ajo çfarë përbën nxitje urrejtjeje ndryshon dramatikisht në kontekste të ndryshme. “Facebook” nuk tregoi sa herë ka marrë vendime të gabuara në eliminimin e postimeve, por është e qartë se është ende larg zgjidhjes së problemit. Vet të dhënat e “Facebook” tregojnë se kompania gjen vetëm një pjesë të vogël të abuzimit në rrjetin e saj. Askush, as vet “Facebook”, nuk e di sa i madh është ky problem. /Top Channel/

Pas