Aktualitet, Komente, Te Fundit, Të Gjitha

Eri Isufaj, 24 vjeç. Nuk i dhamë një pllakë, por një masiv mermeri

Nga Alfred Lela

Erinalda isufaj, 24 vjeç, vdiq një vdekje banale dhe të pamerituar. Të shtunën, në segmentin rrugor që lidh Lushnjën me Beratin, mbi makinën ku udhëtonte vajza bashkë me familjen, ra një bllok disa tonësh i shkëputur nga një kamion që transportonte mermer. Mediat nuk e lanë pas dore këtë rast. Vdekja është si seksi, shet. Tani asgjë nuk është më sekrete dhe, eulogjitë, që dikur i thuheshin dikujt te kryet e varrit, i gjen në Facebook. Bota është hapur dhe, ashtu e sheshtë, ka rënë e gjitha nën peshën e rëndë të mediatikes. Njerëzit duan të jenë dhe duan të shihen.

Nëse nuk shihen mendojnë se nuk ekzistojnë. Deri në vdekje. Nuk është ky rasti, megjithatë, për hulumtime mbi natyrën e shoqërisë postmoderne, por ama është rasti për të vëzhguar një gjë që është e rrallë dhe e rëndë. Shqipëria dhe shqiptarët e çojnë jetën, të kapur si në një keqkuptim, të zënë ngushtë si mes asfaltit dhe mermerit, ndërmjet primitives dhe modernes. Moderne ishte e gjitha çka ndodhi të shtunën me Eri Isufajn: Familja që po shkonte apo po vinte nga diku; makina e vogël franceze në të cilën udhëtonin; celularët që ndërronin duart në makinë; mesazhet dhe telefonatat që shkëmbeheshin me shokë e të afërm [hej! si je? jemi këtu? po vijmë! çfarë ka për darkë? shihemi nesër! të përqafoj! puç puç!); asfalti i ri dhe i lagësht i rrugës, guard rails prej alumini special; tabelat e gjelbra që të çojnë diku dhe askund.

Përmbi këtë weekend të shqiptarit ra primitiviteti që ecën bri të gjithë nesh. Si e keqja përbri të mirës; si djalli që nuk i ndahet engjëllit. Nuk ishte blloku i mermerit, jo, ai primitivitet. Ishte gjithçka lidhej me të dhe është thelbësisht shqiptare: mbi pllakën e varrit të së cilës kur ta varrosim, në mundshim ta vrasim ndonjëherë, mund të shënojmë PAKUJDESIA.

Shkujdesi që ia dorëzon jetën rastësisë, nën urimin e përhershëm dhe banal ‘hë, se nuk është shkruajtur’… ‘inshallah! Me një urim të tillë duhet të jetë nisur edhe shoferi i kamionit prej të cilit u shkëput shkëmbi monolit që vrau vajzën; një rrahje të tillë mbi shpatullat e fatit duhet të kenë dhënë edhe punëtorët e ngarkim-shkarkimit të rmës së mermerit. Policia rrugore, që mund ta ketë pikasur atë ngarkesë që ndoshta hepohej, nuk është se ka bërë vetë apo ka sinjalizuar dikë për një inspektim. E kanë përcjellë me një ‘shkofsh shëndosh!’. Udhëtarët e tjerë që janë ndërruar me atë kamion, apo ndoshta e kanë parakaluar, thjesht kanë nxituar për të qenë të shpejtë dhe për t’i ikur fatit të keq. Ku e dinin ata se Erinalda dhe familja e saj nuk do të ishin aq të shpejtë. Si është ajo shprehja ‘largoje Zot, b…time!”.

Autoriteti Rrugor, ditziu që nuk parashikoi dot një herë ditët e zeza të rrugëve të Shqipërisë, mundet ama të parashtrojë një seri rregullash që duhen ndjekur; një kategori gjobash dhe ndëshkimesh të tjera për shoferët e kompanive, shqiptare ose të huaja, që i përdorin rrugët e vendit tonë të përbashkët si të ishin një pluhurishtë dueli në Far West-in Amerikan të fundshekullit 19. A ka kuzime dhe orare për makinat e tonazhit të rëndë?

A ka inspektim për ngarkesat e tyre dhe kushtet teknike të makinerive që i bartin? A ka një limit shpejtësie për to? A ka një test ekstra për shoferët e këtyre mjeteve? E me radhë. Mendojeni pak: të gjithë vdesin një ditë dhe sajdisen me një pllakë mermeri te koka. Erinalda Isufaj, 24 vjeç, mori pasditen e një të shtune vjeshte disa tonelata mermer mbi shpinën e njomë vajzërore. Duar të padukshme e kanë shtyrë atë masiv vdekjeje mbi jetën. Ti, a ke gisht?!

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko