-Politikë, 3, Aktualitet, Kryesore

Emrat/ Zgjidhen 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për prokurorët nuk pati short

Janë zgjedhur sot përmes një shorti të hedhur në Kryesinë e Kuvendit, 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe dy anëtarë/zëvendësues. Gjyqtarët u zgjodhën me short ndërsa prokurorët jo, pasi ishin kandidatura të vetme.

Kështu, Besnik Imeraj dhe Altina Xhoxhaj janë përzgjedhur si anëtarë të KED nga lista e Gjykatës Kushtetuese dhe Vitore Tushaj, anëtare zëvendësuese.

Artan Broci zgjidhet anëtar nga lista e Gjykatës së Lartë, ndërsa anëtari zëvendësues përmes shortit, u zgjodh Shkëlzen Selimi.

Rovena Gashi u zgjodh pa short anëtare e KED si e vetmja kandidate nga Prokuroria e Përgjithshme.

Gentjan Trenova dhe Fatjona Mençe u përzgjodhën gjithashtu pa short si të vetmit kandidatë për dy vendet anëtare të KED nga prokurorët pranë Gjykatave të Apelit.

As për anëtarin zëvendësues të Prokurorisë së Përgjthshme nuk u hodh shorti, pasi nuk pati kandidatë. Drejtuesja e shortit, Vasilika Hysi tha se nuk do të ketë anëtarë zëvendësues për këtë institucion.

Lista nga gjyqtarët e Apelit përbëhej nga 83 kandidatë, ku shorti përzgjodhi Enton Dhimitrin dhe Fatos Qaton si anëtarë të KED.

Nga Gjykata Administrative ishin 42 kandidatura për një anëtar, ku shorti përzgjodhi Ahmet Jangullin.

Anëtari zëvendësues nga Gjykata e Apelit dhe ajo Administrative, sipas ligjit është i përbashkët. Shorti përzgjodhi si anëtar zëvendësues nga lista e gjyqtarëve të Apelit dhe Gjykatës Administrative, gjyqtarin Sotiraq Lubonja.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i krijuar nga ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016 dhe është përgjegjës për verifikimin e ksuhteve ligjore dhe profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë si dhe atyre për Gjykatën Kushtetuese.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko