-Teknologji

Elon Musk gjobitet 20 milion dollarë dhe shkarkohet nga Tesla

               Publikuar në : 12:34 - 30/09/18 |
el ena

Elon Musk duhet të dorëhiqet nga posti i drejtuesit më të lartë të Teslas. Ai duhet gjithashtu të paguajë një gjobë të majme prej 20 milionë dollarësh, pas marrëveshjes së arritur me mbikëqyrësin rregullator të tregjeve në Shtetet e Bashkuara. Kjo për shkak të “cicërimave” të tij mbi privatizimin e prodhuesit të automjeteve.
Zhvillimi i fundit vjen pas vendimit të së enjtes nga rregullatori “Securities and Exchange Comission”. SEC paditi Musk-un mbi dyshimet për mashtrim me fondet. Sipas marrëveshjes, Musk mund të qëndrojë në postin e shefit ekzekutiv të Teslas, por jo si drejtuesi më i lartë. Të paktën për 3 vitet e ardhshme Musk nuk do të jetë më në këtë pozicion.
Dyshimet për mashtrim lidhen me mesazhet e publikuara prej tij në “Twitter” gjatë muajit gusht. Musk tha se po merrte në konsideratë privatizimin e prodhuesit të makinave elektrike Tesla. Ai shkroi se kishte “siguruar fondet” për propozimin në fjalë, gjë që do të mundësonte vlerësimin e Teslas në rangun e 420 dollarëve për aksion.
Aksionet fillimisht pësuan një rritje pas këtij njoftimi, por shumë shpejt ranë në vlerë. Mbikëqyrësi financiar deklaron se pretendimet e Musk ishin “false dhe çorientuese”.

“Realisht, faktet tregojnë se Musk as nuk kishte diskutuar, e jo më të kishte konfirmuar, kushtet kryesore të marrëveshjes, përfshi këtu çmimin, me financuesin potencial”, deklaroi SEC pas hetimit të vet.

Musk iu kundërpërgjigj fillimisht akuzave, duke thënë se veprimi i SEC ishte “i pajustifikueshëm”. Ai shtoi se kishte vepruar në “interesin më të mirë të së vërtetës, transparencës dhe investitorëve”.
Veç gjobës, Musk do të duhet të pajtohet me procedurat e komunikimit të kompanisë kur të shkruajë në “Twitter” mbi firmën në fjalë. Ai ka tashmë 45 ditë kohë për të dhënë dorëheqjen nga roli i drejtuesit të Teslas./Top Channel

Pas