-Politikë, Aktualitet, Editorial, Kryesore, Te Fundit

Edi Rama sajo një rreng dhe tërhiqe me lezet Fatmirin!

fat1

Nga Dritan LACI

Dëshmia e mbrëmshme në “Opinion” e shtetases Valbona Duka dhe këmbëngulja e saj për tu përballur me atë që ajo e quan torturuesin e saj gjatë regjimit komunist ish hetuesin z. Fatmir Xhafaj, i propozuar së fundmi nga kryeministri Rama për të qenë Ministër i Brendshëm, ka qenë një shok i vërtetë për shikuesit të cilët ndoqën për herë të parë me zë të fortë dëshminë e një gruaje të rrahur në mënyrën më brutale nga ai që sot pretendon të marrë firmën e Presidentit të Republikës për tu bërë Ministër i Brendshëm.

Dëshmia e Valbonës dhënë live për “Opinion” daton në vitin e largët 1986 kohë kur ajo një vajzë vetëm 20 vjeçare u mor nga nga fermë e fshatit Zahari ku punonte dhe u hip në Xhipin e Degës së Punëve të Brendshme Krujë për ta gjetur veten në duart e hetuesve të cilët pasi i kërkuan të pranonte se kishte vendosur të arratisej dhe ndeshën në mohimin e saj nisën ta qëllonin me çtë mundeshin. Po me këtë forcë edhe pse kishin kaluar 30 vite nga ajo rrahje brutale që e la për ditë të tëra shtrirë në krevat.

Valbona përmendi edhe emrat e dy xhelatëve të saj përkatësisht Fatmir Xhafa dhe Kujtim Luli. I pari pjesëmarrës edhe në hetimin dhe torturimin e Arben Dukës vëllait të Valbonës i cili u dënua sepse kishte ngritur dolli me shokë për vdekjen e Enver Hoxhës. Valbona, tashmë gjyshe, ishte gatshme mbrëmë në “Opinion” të vinte nga Karlsruhe e Gjermanisë ku jeton prej 27 vitesh dhe të përballej me z. Fatmir Xhafa. Nuk e dimë nëse z. Xhafa do ta pranoje këtë sfidë. E cila nuk ishte e para mbrëmë pasi një tjetër person foli për dhunën e z. Xhafa si hetues i regjimit komunist. Madje se si e kishte rrahur aq fort me karrige sa me gjakun që si pushonte i kishte shkruar në birucë një letër babait me kunj shkrepse; “Bëj diçka më shpëto”.

Nuk e di nëse z. Xhafaj do ketë kurajo të sqarojë pozitën e tij në këto dy denoncime publike. Por nëse nuk e ka duhet të gjejë një rreng shumë të fortë për të tërhequr propozimin e shefit të tij në Parti për ta bërë ministër. Mund të shpikë një sëmundje akute që ka nevojë për një trajtim të gjatë mjekësor mundësisht jashtë vendit. Mund të shpikë një presion të mundshëm nga qarqe të huaja dhe vendase që luftojnë reformën në drejtësi. Mund të shpikë nevojën që ka Baza e Partisë për ta pasur në gjirin e saj si birin më të devotshëm. Ka shumë mënyra që Xhafaj mund ti shpikë vetes për të shpëtuar nga kjo njollë si xhelat i së kaluarës. Madje për këtë mund ta ndihmojë edhe Rama qe e propozoi.

Në të kundërt nëse nuk shpik diçka të shpejtë z. Xhafaj duhet të dalë dhe të përballet me akuzat e të gjallëve. Të dalë dhe të thotë që gjithçka është e gënjeshtërt dhe këtë ta dëshmojë me prova. Ndryshe i takon Presidentit të Republikës që të thotë fjalën e fundit dhe në mos përputhje me moralin e figurës ti thotë jo dekretimit të emrit të z. Xhafaj si Ministër i Brendshëm. Kjo sepse nuk mund të jesh edhe xhelat i Degës së Punëve të Brendshme në regjimin diktatorial edhe ëngjëll Ministër i Brendshëm në një rend demokratik./ Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko