Aktualitet, Komente

Edi Rama, kryeministri virtual i turizmit shqiptar

Nga Dritan Laci

A keni hasur ndonjëherë ndonjë kryeministër, qoftë ky edhe i vendit më të humbur në botë, që jo vetëm jeton si turist në vendin e tij por edhe që qytetarët e republikës ku qeveris prej dy mandatesh i trajton si marsianë të zbritur në atdheun e tyre?

Sigurisht që është guxim i marrë, por vetëm një kryeministër si Edi Rama mund të ketë guximin që duke u fshehur pas shprehjes së thënë e stërthënë; “Pse ça i dini ju shqiptarët budallenj”, ti trajtojë tamam-tamam shqiptarët si budallenj. Por në fakt a janë aq budallenj shqiptarët sa të besojnë akoma përrallat me Hirushe të një kryeministri që as vetë nuk i beson ato që thotë.

Sot në mëngjes, siç e ka bërë tashmë zakon, kryeministri Rama hodhi në profilin e tij në facebook, ilustrimin e një video të shkëputur nga një emision në RAI 3, ku sipas një studimi që nuk dihet se ç’firmë mban, Shqipëria renditej në vendin e parë për numrin e prenotimit të shtretërve gjatë sezonit turistik midis 5 vendeve të përzgjedhura. Kjo sigurisht nga ana e kryeministrit Rama është ti trajtosh qytetarët e tu si liliputë.

Ose, ose ata të besojnë që Zoti krijoi Edi Ramën për tu treguar atyre se sa I bukur është vendi ku jetojnë. Në fakt ashtu siç thotë kryeministri Rama, por që ndryshe thotë e ndryshe i trajton shqiptarët nuk janë budallenj sa kohë kryeministri i tyre edhe pushimet dimërore i kalon si turist i huaj. Që të besosh që kryeministri yt është i vërtetë në ato që thotë dhe beson në ato poston duhet të besosh që Valbona nuk duhet futur në tuba.

Që të besosh se kryeministri yt nuk është thjesht një turist i huaj që kalon natën në vendin e tij, duhet të besosh se Butrinti që thith me mijëra turistë të vërtetë të huaj, nuk duhet prekur më ndërtime të paligjjshme. Që të besosh që ky kryeministër e ka seriozisht me turizmin vendas, duhet të besosh që ky kryeministër duhet të bëjë ç’mos që të ofrojë investitorë të huaj, dhe jo të largojë gjatë qeverisjes së tij edhe të vetëm brand të hotelerisë botërore.

Nëse ky kryeministër mendon që numri i klikimeve poshtë videos që poston janë turistë të huaj, atëherë ka një problem të madh midis realitetit ku ndodhet turizmi në Shqipëri dhe botës virtuale ku gjithmonë e më shumë është strukur. Nëse do të dish se sa seriozisht e ka kryeministri i vendit tënd këtë punën e turizmit, mjafton ta pyesësh kur ka dimëruar një natë në Theth, Valbonë, Vermosh apo gjetiu.

Besoj që nuk do të mundet të justifikohet me mungesën e kohës, sa kohë ulet gju më gju me popullin për të sharë kazanin e medias së huaj, apo dimëron 10 ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rikthehet këtu i mahnitur, si të ishte jo kryeministri i vendit ku qeveris prej 1500 ditësh nga të cilat 75 % ditë me diell, por si një turist i huaj që zbulon  Shqipërinë nga reportazhet e mediave të huaja, ndoshta duhet dikush ti thotë sa për qind e turistëve të huaj kthehen sërish për të veruar apo dimëruar në Shqipëri.

A ka ujë 24 orë në zonat turistike? Po rrymë elektrike? Po çmimet si janë në raport me rajonin? Ku jemi ne raport me fqinjët për sa i përket politikave turistike që ndjek qeveria juaj? Çfarë brandi të huaj me emër kemi ne fushen e hotelerisë?Këto janë pyetje që kryeministri Rama duhet t’ua japë përgjigjen si kryeministër i vendit të tij, jo si turist që e shikon vendin e tij si një hotel që kalon natën dhe u tregon të huajve çfarë mrekullie ishte Shqipëria.

Se çfarë mrekullie është Shqipëria këtë jemi të ndërgjegjshëm besoj të gjithë, por se si kjo mrekulli të kthehet në logjikë ekonomike fitimprurëse, për këtë nuk na duhet një kryeministër që të na e tregojë këtë nëpërmjet video-reportazheve të kanaleve të huaja televizive, por një kryeministër që ka një vizion të qartë se ku do shkojë turizmi shqiptar në një afat plangjatë.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko