Aktualitet, Sport, Te Fundit

Dy “bomba” me një skenar, Ronaldo do të kthehet te Manchester United

Heshtja do të thotë “po”!

Ky është sinjali që futbolldashësit morën sot nga Cristiano Ronaldo. Ylli i Portugalisë u shpall “Lojtari i ndeshjes” pas barazimit 2-2 me Meksikën në përballjen e vlefshme për Kupën e Konfederatave, por doli jashtë protokollit të FIFA-s duke bojkotuar konferencën për shtyp. 32-vjeçari, siç duket, donte të shmangte pyetjet për largimin e mundshëm nga Real Madridi, duke mos e vrarë mendjen se mund të gjobitet.

Që pas lajmeve në lidhje me fshehjen e 14,7 milionë eurove në tre vite, Ronaldo ende nuk është shprehur publikisht. Përveç kësaj, ka dy ditë që gjithë Evropa është “çmendur” me spekulimet se ai kërkon të lërë Spanjën. “Dua të largohem, nuk ka kthim pas”, – mendohet të jenë fjalët që portugezi u ka thënë njerëzve të tij më të afërt.

Fakti që Ronaldo sot nuk foli tregon qartë se lajmet nuk janë të rreme, por me një bazë të qartë. Teksa në Francë “Le Parisien” komentoi se sulmuesi veçse po bën presion për të përfituar një kontratë të re, “Sky Sports” para një ore lëshoi “bombën” duke u shprehur me siguri se destinacioni i ardhshëm i kampionit të Evropës do të jetë Manchester United. “Cristiano është i interesuar për mundësinë e rikthimit te Manchester United këtë verë”, – është lajmi i raportuar në Angli.

Sikur të mos mjaftonte “Sky Sports”, edhe gazeta e cila zbuloi e para dëshirën e Ronaldos për t’u larguar, “A Bola”, ka mërzitur tifozët madrilenë. Sipas prestigjiozes portugeze, sulmuesi i ka kërkuar agjentit të tij, Jorge Mendes, që “të bëjë gjithçka që është e mundur” për ta transferuar te Manchester United. Kjo do të thotë se rrethi po ngushtohet!

Çfarë do të ndodhë me 4-herë fituesin e “Topit të Artë”? Këtë ende nuk e di askush, përveç atij, njeriut që edhe në gjumë di të krijojë lajm.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko