Aktualitet, Komente, Kryesore

Dokumenti i Pavarësisë dhe e vërteta e nënshkrimit të tij 105 vite me parë

Kuvendi u hap në datë 28 nëntor 1912, në sarajet e Xhemil Bej Vlorës.

“ishte e enjte, ora 4 pas dreke, dhe tellalli kish thirrur që në këtë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil beut, në një sallon të madh.”

Mit’hat Frashëri në kujtimet e tij jep edhe një hollësi që tregon organizimin e brendshëm të sallës:

“Salla e madhe në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës ishte mbushur plot dhe delegatët kishin zënë vendet rreth tri tryezave të mëdha të vëna afër e afër. Këtë ditë, pra ora 14.30, me zë të përgjithshëm u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Flamuri u çel në portën e shtëpisë ku ishin mbledhur delegatët”.

Dhimitër Zografi, kujton edhe ai nga ana e tij:

“U ngrit Ismail Qemali, dhe si përshkrojti humbjen e Turqisë dhe të vojturat dhe gjendjen e Shqipërisë mbi rrezikun e madh që ndodhet atdheu ynë, tjatër shpëtim, tha, s`ka përveç se të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin.

“Rroftë Shqipëria jonë”, thrritnë të gjithë. “Rroftë flamuri i Shqipërisë”. Salloni ishte plot me njerëz, çardhaku përposh plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me mizëri njerëz, edhe kur u përhap të thirrurit “Rroftë” dhe të përpjekurat e duarve, i ngjetheshin mishrat njërit”

Kuvendi filloi me një fjalë hapjeje të Ismail Qemalit dhe me mandatet e delegatëve. Sali Xhuka bëri vërtetimin e tyre dhe gjeti se nga 84 delegatë të zgjedhur, 43 prej tyre kishin arritur në kohë dhe ndodheshin në dhomë. Ai lexoi telegramet e disa qyteteve të rrethuara si Korça dhe Shkodra, që në pamundësi të dërgonin delegatë, kishin mandatuar të flisnin dhe të vendosnin në emër të tyre disa nga delegatët që ishin aty. Ismail Qemali, u zgjodh njëzëri Kryetar i Kuvendit.

Procesverbali i botuar nga Lef Nosi shumë vite më vonë, rrëfen se Ismail Qemali ka folur disi më gjatë, ndër të tjera, ai është shprehur:

“Shqiptarët, ndonëse besnikë përherë tek Mbretëria Othomane, nuk e kanë harruar kurrë, as gjuhën dhe as kombësinë e tyne… Qeveria Othomane nuk e vështroi kurrë inderreshtin e saj. E nuk deshi kurrë tua shpërblenjë me të mirë shqipëtarëvet shërbimet e mëdha që i baanë. Në këtë kohë të fundit rrefeu ndopakë dëshirin që të mirëj vesht me kombin t’ënë, por prap nuk vuni të gjithë vullnetin e mirë e nuk mori të gjitha masat e nevojëshme për të paqësuar e për të kënaqur shqipëtarët…”

Në fund, ai propozoi:

“Të bahet Shqipëria më vehte, nën një qeverrië të përkohshme; të sgjidhet një pleqësië për ndihmë e kontroll të qeveriës; të dërgohet një komision në evropë për të mprojtun çashtjen shqiptare përpara mbretëriëvet të mbëdha”.

Delegatët pranuan të gjithë dhe filluan të duartrokasin. Luigj Gurakuqi u zgjodh shkruajtës i parë për të mbajtur edhe procesverbalin e mbledhjes, që padashje, shërbeu edhe si deklaratë e pavarësisë.

“Pas fjalëve që tha z.Ismail Qemali beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delagatët në një za, vendosën që Shqipëria të bëhet më vete, e lirë dhe e mosvarme!”

Më poshtë, teksti është shkruajtur edhe në osmanisht me këtë përmbajtje:

“Pasi u përmendën prej Ismail Qemal beut kryetarit të komisionit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet sot Shqipëria, kongresistët me një zë pranuan indipendencën dhe e shpallën Shqipërinë shtet indipendent e të lirë!”

Pas tij vijojnë nënshkrimet e 40 personave. Dokumentin e firmosën vetëm delegatët e ditës së parë. Nuk dihet se përse ndodhi kjo dhe përse delegatët e ditëve të mëpasme nuk nënshkruan në të. Sepse në procesverbalin e mbledhjes së kuvendit të datës 30 nëntor thuhet:

“Si u këndua e u pëlqye Proçes-Verbali i mbledhjes së përparshme, shkronjësi Z. Gurakuqi kërkoi që të mos nënshkruhet ditë për ditë po të lihen të gjitha për në funt; në këtë mënyrë edhe delegatët e ri që erdhën e ata që do të vinë përpara se të mbarohet Kuvendi  do të mund të shënojnë emnin e tyne nën këto shkresa të përkujtimshme.”

Për fatin tonë të keq, deklarata e pavarësisë ashtu si edhe flamuri që u ngrit pak minuta më vonë, nuk janë ruajtur më. Historia e tyre është e paqartë.

Deklarata e pavarësisë, u mor nga Lef Nosi i cili e ruante në koleksionin e tij privat. Prej andej e nxorri në nëntor 1937, kur e shumfishoi duke i bërë disa rregullime (Firmat në pjesën e pasme të letrës u montuan në balloren e saj poshtë). Origjinali u fut sërish në arkivin e tij dhe askush s’di të thotë se ku ndodhet. Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionist më 1945 dhe pasuria e tij u konfiskua. Në një procesverbal të Sigurimit të Shtetit që ka hapur dy kaseta me materiale që ai kish në bankën e shtetit lihet të kuptohet se ato qenë dokumenta historike, por nuk thuhet se çfarë. Një fotografi e origjinalit u zbulua papritur në pranverën e vitit 2012 në Arkivin Qëndror të Shtetit. Fotografia të lejon të kuptosh se letra e procesverbalit, ose deklarata e Pavarësisë shqiptare ka qenë një letër blloku shënimesh, me vija, me firmat të vendosura në pjesën e parë, nën teksin dhe në anën e pasme të saj. Dikush e ka palosur në katërsh për ta futur në xhep dhe në foton e origjinalit, të gjitha këto shenja dallohen qartë.

Pas thuajse 3 orësh diskutimesh, diku rreth orës 17 – 17.30 delegatët dolën për të ngritur flamurin e pavarësisë në taracën e portës së shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës. Ismail Qemali që mbantë flamurin në dorë, ja zgjati Murat Toptanit, ndër më të rinjtë aty, që ta vendoste mbi pullazin e portës së shtëpisë, ndërsa vetë shihte nga dritarja. Pullazi ishte i lartë dhe në mungesë të një Ballkoni, ai ishte vendi më i mirë për ta bërë flamurin të dukshëm nga të gjithë.

Shenim* Ky material është shkëputur nga libri “100 vjet” i gazetarit Blendi Fevziu

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko