Dështimi i “doktrinës Obama” – Opinion – Faqja Zyrtare
Editorial, Komente, Te Fundit, Të Gjitha

Dështimi i “doktrinës Obama”

Barack-Obama1

Në vitin 2014, në një editorial të ashpër tek “Wall Street Journal”, Dick Cheney kishte folur haptazi për “kolapsin” e “doktrinës Obama”, duke e hedhur poshtë në total strategjinë në fushën e politikës së jashtme, të Presidentit në fuqi. Nisja e presidencës së Barack Obama pesë vite më herët ishte përshëndetur në Shtetet e Bashkuara me tone mesianike, si fillimi i një epoke të artë paqeje, stabiliteti, rilindjeje të të drejtave të njeriut dhe civile, rigjallërimi ekonomik dhe një pastrimi të imazhit të Shteteve të Bashkuara në botë. Në largësinë e 8 viteve nga zgjedhja e presidentit të parë afroamerikan dhe pas 2 mandatesh presidenciale radhazi, mund të thuhet se Obama i ka zhgënjyer pothuajse të gjitha pritshmëritë për përmirësimin e situatës, sa në frontin e jashtëm, aq edhe në atë të brendshëm (pavarësisht se në planin ekonomik gjykimi mund të jetë më indulgjent), duke lënë si trashëgimi një botë shumë më pak të sigurtë e të begatë, sidomos në Perëndim, se sa ajo që kish marrë në trashëgimi nga G. W. Bush. Primati amerikan në glob, i vënë gjithnjë e më shumë në diskutim nga shumë anë në nivel ndërkombëtar, i lë hapësirë pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë.

Nga shumë anë janë ngritur zëra që kanë akuzuar presidencën Obama se ka qenë më e keqja nga koha e Jimmy Carterit. Për të tjerë duket kemi të bëjmë me më të keqen e të gjithave. Edhe po të duash të japësh një gjykim dashamirës lidhur me marrëveshjen bërthamore iraniane (për një kohë e gjatë e debatuar dhe së cilës i është vënë fjala fund në fillim të këtij vendi) dhe mbi rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën (ku Obama ka shkuar për vizitë, presidenti i parë amerikan në 90 vite), puna e përgjithshme e Obamës nuk ka merituar elozhe të veçanta. Presidenca e tij, e shënuar nga paqartësi dhe nga gjendja e “patës së çalë”, sidomos në mandatin e saj të dytë (përjashton parantezën e shkurtër e 2 vjeçarit 2009 – 2010), është dalluar prej rivaliteteve në brendësi të administratës, jo vetëm midis partisë demokrate dhe republikane (kjo e fundit e tronditur shumë nga fenomeni Donald Trump), por edhe midis institucioneve të vendit (ushtri dhe politikë, agjenci, ente federale, ushtri dhe ansajelltas), pse jo edhe prej axhendës konfuze politike, asnjëherë e përkufizuar qartë dhe padyshim e influencuar nga një mazhorancë e qëndrueshme në Kongres.

Kontradikta më e ashpër ka pasur të bëjë me respektin e munguar të premtimit për një hapje të re ndaj Lindjes së Afërt, Afrikës dhe Azisë, që Obama pritet t’ia lërë pasuesit të tij në një gjendje mbylljeje të fortë kundrejt Uashingtonit. Për sa i përket Afrikës në kompleksin e saj, pritshmëritë e një interesimi më të madh për fatet e kontinentit nuk janë realizuar, duke ia lënë fushën aktivizmit gjithnjë e në rritje të Pekinit. Politika e jashtme obamiane, shumë larg nga arritja e një “rendi të ri botëror”, le në trashëgimi një botë mbi të cilën Shtetet e Bashkuara ushtrojnë gjithnjë e më pak influencë, sa në planin politik, aq edhe në atë ushtarak, dhe mbi të cilën superfuqia “vetmitare” protagoniste e fazës së shkurtër unipolare duket se nuk ka më forcë.

Tërheqja nga skenarët luftarakë apo ngurrimi ndaj impenjimit në terren të dëshiruara nga Obama, megjithëse të ndërmarra fillimisht për t’i dhënë fund një interventizimi agresi dhe me qëllimin për t’ia ceduar aleatëve përgjegjësinë e menaxhimit të skenarëve strategjikë, i kanë hapësirë paqëndrueshmërisë dhe petenrimit të terrorizmit, duke favorizuar rekursin tek luftërat me bedel nga ana e aleatëve jo të besueshëm (shiko Sirinë dhe Libinë. Kritika e ngritur nga Cheney ishte e drejtuar pikërisht tek zgjedhja e çimpenjimit dhe të strategjisë obamiane e “leading from behind”, e treguar si përgjegjëse e avancimit të kërcënimit terrorist në Lindjen e Afërt, e humbjes së influencës mbi aleatët dhe për zbehjen e prestigjit të Shteteve të Bashkuara në botë.

Lindja e Afërt dhe Afrika Veriore

Dështimi i politikës së jashtme ka qenë sidomos i dukshëm në Lindje të Afërt, ku Obama ishte i prirur (dikutimi në Kajro i 2009) drejt një hapjeje të re ndaj të gjithë botës arabe, gjë që në fakt ka rezultuar në një (ç)impenjim progresiv dhe një “kaos”, që nuk ka lënë asnjë influencë të mbetur mbi atë pjesë të botës, pavarësisht angazhimit të bollshëm.

Gjithsesi, nëse marrëveshja me Teheranin për shtyrjen e krijimit të arsenalit atomik, termat e së cilës e kanë lënë dukshëm të pakënaqur Izraelin, Arabinë Saudite dhe një pjesë të Kongresit, mund të konsiderohet pozitive në Irak e në Siri, ashtu si edhe në Libi, ndërhyrja amerikane dhe europiane ka pasur pasoja katastrofike, duke shkaktuar luftëra dhe shkatërrime, jo vetëm për këto vende, por edhe për të gjithë Europën, pasi ka shkaktuar një fluks të pakuntrolluar migrator, fidanishte krizash dhe rivalitetesh midis vendeve të ndryshme europiane. Veç të tjerash, një mea culpa lidhur me Libinë ka dalë kohët e fundit nga goja e vetë Obamës, i cili në Fox News ka pranuar gabime në menaxhimin e “day after”, pas ndërhyrjes.

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku e vendosur në 2011, që pasoi shpalljen nga Obama të “tërheqjes strategjike” (domethënë çimpenjimin progresiv nga skenarët e luftës), la një boshllëk të papritur në rajon, duke përcaktuar përhapjen e fondamentalizmit të armatosur. Dobësia e ushtrisë irakene, e lënë e vetme përballë terrorizmit, ka mundësuar vendosjen e të vetëquajturit Kalifat sunit të ISIS-it (çdo gjë përveçse thjesht një “flakë kashte”) dhe kaosin që ka pasuar. Gabimet i kanë pasuar kërcënime jo konsekuente (që kanë shënuar një humbje të pastër besueshmërie për Shtetet e Bashkuara) kur Obama, pasi ka kërcënuar një ndërhyrje ushtarake në Siri, ka bërë një prapakthehu të bujshme dhe ka mirëpritur propozimin e Putinit për shtyrje, në këmbim të shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit. Rezultati final ka qenë që Shtëpia e Bardhë ka pësuar një shuplakë të rëndë mediatike, duke ia lënë skenën Rusisë së Putinit, i cili e ka transformuar Sirinë në një skenë për protagonizmin e tij, përveçse në një skenar të gjerë, në të cilin të vinte në provë makinën e vet të frikshme luftarake.

Terrorizmi

Në frontin e terrorizmit xhihadist, fenomeni është gangrenizuar patjetër. Siç është demonstruar nga ISIS-i, ai ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u bërë më i radikalizuar dhe më i rrezikshëm, përveçse për herë të parë i territorializuar. Pas 15 vitesh tentativa perëndimore të prirura zyrtarisht për ta çrrënjosur terrorizmin dhe centralet e al Qaedas, në Afganistan rreziku është ai i një rikthimi në pushtet të talibanëve. Kurse Siria është rasti më i bujshëm i dështimit të administratës Obama në frontin e terrorizmit. Pas 5 vitesh lufte civile, jo vetëm që nuk ka ndodhur regime change që ishte në planet e administratës Obama, por Siria është transformuar në një aktor themelor në skenarin e Lindjes së Afërt.

Ngurrimi fillestar i Obamës për të “vendosur çizmet në terren” i ka mundësuar të vetëquajturit Shtetit Islamik që të përhapet midis Sirisë dhe Irakut, duke u konsoliduar deri në atë pikë, sa është bërë e nevojshme ndërhyrja e fuqive të tjera, midis të cilave Rusisë. Lidhur me këtë pikë, bilanci i Shteteve të Bashkuara në të shpallur “luftë kundër terorrizmit” nuk ka sesi të mos jetë negativ. Nga ana tjetër, një ndërhyrje tokësore e tyre do të kishte pasur si objektiv më shumë përmbysjen e al Assadit, sesa fundin e ISIS-it. Në këtë profil, “maturia” e Obamës i ka shmangur Shteteve të Bashkuara përfshirjen në një konflikt tjetër.

“Pranvera arabe” dhe të drejta njeriu

Aftësia e shfrytëzimit të revoltave popullore në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Afërt, nëse ka mundësuar të ribëhet harta e rripit të vendeve arabe mesdhetare, nuk u ka sjellë benefite të mëdha as këtyre vendeve, as Europës. Shumë larg nga sjellja e paqes dhe demokracisë, ka gjeneruar vetëm kaos dhe paqëndrueshmëri, përjashto Egjiptin, ku revolta popullore ka arritur të rrëzojë regjimin e Vëllazërisë Myslimane të Morsit (i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë), duke rivendosur boshllëkun e lënë nga Mubarak.

Nuk flasin sigurisht në favor të kauzës së të drejtave të njeriut, sa mbrojtja nga presidentët amerikanë, aq edhe mbyllja e munguar e Guantanamos, as “kill list” (programi i eliminimit sekret dhe ekstraligjor i armiqve), as doktrina Obama lidhur me përdorimin kirurgjik të dronëve, shpesh shkaktues viktimash civile dhe pasojash kolaterale. Skandali mbi punën e NSA-së (National Security Agency), i njohur si Datagate, ka nxjerrë në pah nivelin e frikshëm të infiltrimit si në sferën private të amerikanëve nga ana e agjencisë së spiunazhit të brendshëm, ashtu edhe në atë të vetë aleatëve europiane (midis të spiunuarve janë edhe krerë qeverishë europiane). Obama ka dashur ta përballojë me një ligj reforme të sistemit të përgjimeve, i cili pa e hequr prerogativën e qeverisë për të spiunuar qytetarët e saj, zëvendëson pjesërisht Patriot Act e 2001 duke vendosur kufizime ndaj shkeljes së privatësisë personale.

Azia dhe Europa

Obama ka dështuar edhe ne frontin aziatik. Administrata e tij ka vendosur transferimin e shtyllës së politikës së jashtme amerikane nga Atlantiku në Paqësor (Pivot to Asia), duke iu drejtuar konsolidimit të aparatit amerikan në zonë (nëpërmjet United States Pacific Command) dhe përfundimit në lëmin ekonomik të një marrëveshjeje të shkëmbimit të lirë, midis vendeve kryesore bregdetare të Paqësorit (Trans Pacific Partnership) në funksion antikinez. Forcimi i containment në dëm të Kinës, i kaluar më pas nën emrin e “ribilancimit në Azi – Paqësor”, i ka ashpërsuar tensionet ushtarake dhe diplomatike në zonë. Është inkurajuar kështu aktivizmi ushtarak i Pekinit (dhe jo vetëm) në Detin e Kinës Jugore, ku nuk mungojnë provokimet e Shteteve të Bashkuara.

Dështimi i kësaj strategjie në frontin aziatik është salduar ndërkohë me dështimin në anën europiane, ku kriza e Europës, sa në profilin ekonomik, aq edhe në atë politik dhe ushtarak, nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përkeqësuar. Shtrëngesa në të cilën është vënë Europa që të miratonte në dëm të vet sanksionet kundër Rusisë ka shkaktuar një frakturë të thellë midis vendeve proamerikane dhe vendeve prorurse, duke e shtyrë Rusinë që të lidhë një partneritet të qëndrueshëm me Pekinin, potencialisht në gjendje që të përmbysë primatin e Uashingtonit. Obama i ka dhënë jetë kështu një Lufte të Ftohtë të re, duke çuar në krizën më të keqe të raporteve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në 20 vitet e fundit.

Globalizimi

Deri globalizimi i promovuar nga Uashingtoni duket se është vënë në diskutim nën Obamën. Në fushatë elektorale Trumpi ka interpretuar ndjenjat e pakënaqësisë ndaj marrëveshjeve të shkëmbimit të lirë të nënshkruar me Meksikën (NAFTA) dhe në rrugë miratimi me vendet transpaqësore (TPP). Pikërisht TPP-ja, që forcon containment ekonomik ndaj Kinës, duket se tashmë është arkivuar, ndërsa është braktisur në muajt e kaluar edhe TTIP-ja (Transatlantic Trade and Investment Partnership), zona e shkëmbimit të lirë midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pse këto të fundit, të dalë nga dera, mund të rihyjnë nga dritarja nëpërmjet CETA-s (Comprehensive Economic and Trade Agreement), marrëveshja e shkëmbimit të lirë e miratuar kohët e fundit midis Europës dhe Kanadasë. Të dyja marrëveshjet shërbenin për ta lidhur Europën me Lindjen e Largme me fatet e Uashingtonit, respektivisht në funksion antirus dhe antikinez. Si rezultat i braktisjes së TPP-së, Kina është aktivizuar për të rilançuar një “partneritet ekonomik rajonal”, alternativa kineze ndaj zonës doganore të Shteteve të Bashkuara midis vendeve aziatike.

Konkluzione

Goditja më e rëndë e pësuar në 8 vitet e Presidentit Obama ka qenë sigurisht deklasimi i Shteteve të Bashkuara nga “vend i domosdoshëm” në vend të detyruar që të matet, me hir apo me pahir, në një plan multilateral me vende të tjera të të njëjtit rang; jo më superfuqia e vetme globale. Primati i Shteteve të Bashkuara, të bëra tashmë një aktor midis të tjerëve në kuadrin e fuqive botërore, është zhdukur “prapa kuintave” të një rendi multipolar. Është parë kohët e fundit kur Shtetet e Bashkuara janë sfiduar haptazi nga Turqia e Erdoganit me rastin e grusht shtetit të dështuar dhe nga Filipinet e Dutertes, i cili duke shpallur prishjen e martesës me Uashingtonin, ka inauguruar një epkë të re marrëdhëniesh të përzemërta dhe paqësore me Pekinin. “Momenti unipolar”, tashmë i ezauruar, i lë hapësirë aktorëve ndërkombëtarë emergjentë, të afirmuar si protagonistë në vijim të shkolonizimit dhe të ezaurimit të dominimit kolonial europian.

Nëse qëndrimi i Obamës ndaj Iranit ka mundësuar arritjen e marrëveshjes bërthamore (që duket se do të vihet në pikëpyetje nga Trump), ajo nuk e ka prishur aspak aleancën strategjike me petromonarkitë e Gjirit dhe sidomos me Riadin, me të cilin Uashingtoni ka kryer një luftë agresioni kundër Jemenit. Të njëjtat tensione me Izraelin për çështjen palestineze nuk kanë prodhuar asgjë pozitive.

Nëse braktisja e TTIP-së dhe qëndrimi i Trump ndaj Europës nuk i shërbejnë unitetit transatlantik, as retorika e presidentit të sapozgjedhur ndaj NATO-s nuk duket se e ndihmon shumë këtë unitet. Që projekti për t’i çuar deri në dyert e Rusisë kufijtë e NATO-s përfaqëson këngën e mjellmave të Aleancës Atlantike? Sigurisht, neoizolacionizmi i ri i promovuar nga Trump duket se evokon atë të viteve Njëzet e Tridhjetë e shekullit të kaluar dhe shkon dorë më dorë me vokacionin internacionalist liberal që ka frymëzuar Shtetet e Bashkuara qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Problemi do të jetë të verifikohet sesa një “izolacionizëm” i tillë do të nënkuptojë një fund të ndërhyrjeve në punët e vendeve të tjera, apo nëse izolacionizmi (Ekonomik? Apo edhe ushtarak?) i predikuar nga Trumpi nuk do të jetë një rishfaqje, me modalitete të ndryshme, e protagonizmit muskulor të Shteteve të Bashkuara që njohim prej nga nuk mbahet mend. Edhe pse historia në mëson se kampionët e ndërhyrjes amerikane kanë qenë demokratët (traditë e konsoliduar nga vetë presidenca Obama), nuk është e thënë që nën presidencën republikane të Trumpit të asistohet në pëkuljen në vetvete të forcës amerikane. Do të shikohet nëse ai do të propozojë një izolacionizëm të vërtetë, apo të operojë në rrugën e më të fundit prej pararendësve të tij republikanë.

Nga Geopoliticus- në shqip: www.bota.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko