Sport

Dështimet e Partizanit, lojtarët që u përjashtuan për të shkëlqyer më pas te skuadrat e tjera

Partizani rezulton si një nga klubet që e ka ndryshuar më shpesh organikën e lojtarëve gjatë merkatove në 5 sezonet e fundit. Revolucionet e shpeshta nuk kanë arritur që të sjellin ndryshimin e shumëpritur, pasi ëndrra e titullit vijon që nga trofeu i fundit, i fituar në sezonin 1992-1993. Gjatë këtyre pesë sezoneve, të kuqtë kanë provuar me dhjetëra lojtarë, ku vetëm në sezonin e fundit u afruan 15 futbollistë të rinj në merkaton e verës.

Duke u bërë një rezyme të shkurtër merkatove të Partizanit nga vera e 2013-ës e deri më sot, dalin në pah gabimet që kanë bërë stafet ndër vite, duke i nxjerrë të padobishëm disa lojtarë, të cilët fillimisht u janë afruar “demave”, por më pas ata kanë shkëlqyer në klubet e tjera. Më poshtë do të paraqesim disa nga emrat e lojtarëve që te Partizani konsideroheshin skarco, por që më vonë kanë arritur deri në ekipin kombëtar.

TOMISLAV BUSHIÇ

Në verën e 2013-ës, sulmuesi iu propozua Partizanit, madje me një rrogë 2 mijë dollarë në muaj. Por Bushiç nuk u pëlqye nga stafi i kuq dhe më pas ai kaloi te Vllaznia ku shkëlqeu, duke vijuar më pas aventurën e tij te Tirana dhe tani te Flamurtari.

BERNARD BERISHA

Në verën e 2014-ës, trajneri Shpëtim Duro afroi në ekip disa lojtarë, që mbeten edhe baza e skuadrës aktuale, por ai nuk pranoi Bernard Berishën, i cili iu ofrua fillimisht Partizanit. Më pas, kosovari kaloi te Skënderbeu, ku shkëlqeu dhe më pas u shit në Rusi.

LUKIÇ DHE MEMOLLA

Në merkaton e verës së 2015- ës, Partizanit iu ofruan dy mbrojtës anësorë, Slavan Lukiç dhe Hysen Memolla. Stafi i refuzoi që pas seancave të para të dy lojtarët, të cilët më pas e treguan veten. Lukiç zhvilloi një sezon të mirë te Teuta, madje ndëshkoi edhe Partizanin dhe vijoi te Flamurtari. Ndërsa mbrojtësi i majtë Memolla, nga i pavlefshëm kaloi në Kroaci te Hajduku dhe tani është pjesë e kombëtares shqiptare.

SEKU KAMARA

Në janar të 2016-ës me Partizanin u përgatit për disa ditë lojtari nga Guinea, Seku Kamarra. Lojtari nuk u pëlqye dhe më pas ai kaloi te Besëlidhja dhe tani është titullar te Flamurtari.

PERO PEJIÇ

Në verën e 2016-ës, drejtuesit e Partizanit kishin në tavolinë emrat e dy sulmuesve, Pero Pejiç dhe Dalibor Volas. Në fund, drejtuesit preferuan të zgjedhin sulmuesin slloven para kroatit, i kaloi te Kukësi dhe me golat e tij dha kontribut të çmuar në titullin kampion të verilindorëve. Ndërsa Volas u largua pas 35 ditëve me 17 minuta në fushë dhe me 20 mijë euro në xhep.

KABA SOMBOU

Në janar të 2017-ës, Partizanit iu propozua qendërmbrojtësi i kombëtares së Gambias, Kaba Sombou, por ai nuk u preferua nga të kuqtë. 21-vjeçari kaloi në Kosovë te Trepça’89, ku fitoi titullin kampion, ndërsa tani ai është transferuar në Belgjikë te skuadra e Vasterlout.

SOUE DHE TAKU

Gabimet e fundit në përzgjedhje të Partizanit në merkato janë regjistruar këtë verë. Ali Soue iu propozua “demave” në verë, por përpara sulmuesit të Kievos, stafi italian përzgjodhi Edgar Çanin. Më pas, Sou kaloi te Skënderbeu. Afrim Taku ishte një tjetër emër i propozuar për të kuqtë, por që stafi neglizhoi dhe ish-mesfushori i Tiranës u bë pjesë e Skënderbeut.

LOJTARËT E LIRË

Përpos refuzimeve që në hapat e parë, Partizani ka dështuar me strategjinë e ndjekur edhe me disa futbollistë të tjerë, që janë lënë të lirë nga klubi dhe që kanë shkëlqyer në klube të tjera.

Mevlan Murati u pajis me pasaportë shqiptare, por Partizani dhe Shqipëri U-21 e zhvlerësuan dhe ai kontribuon te Shkëndija e Tetovës dhe te Maqedonia U-21. Amir Rrahmani u la i lirë së bashku me Ardian Cuculin dhe gjithçka përfundon te mosinsistimi për të mbajtur Kaleb Ekubanin, Agustin Torasën, apo Marko Cetkoviç./Panorama Sport

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko