Aktualitet

Dëshmitë rrënqethëse: Studentes i lidhën këmbët dhe e hodhën në det

               Publikuar në : 21:11 - 06/12/18 |
rel d

Avokati i familjes së studentes 21-vjeçare të cilës iu mor jeta tragjikisht, duke folur për mediat greke, ka dhënë të tjera informacione rrënqethëse.

Avokati Alexis Kougias tregon se dy autorët e dyshuar i kishin lidhur këmbët me litar studentes Eleni Tofaloudis. Në këtë mënyrë, thotë ai, autorët ishin siguruar që ajo të mbytej dhe mos të kishte asnjë shans për shpëtim. Avokati Kougias bëri padi penale dhe civile në emër të familjes së viktimës. Ai sqaroi se padia civile është bërë ndaj kujtdo që ka fyer ose do të fyejë kujtimin e studentes 21-vjeçare, kryesisht nga përdorues të internetit, ndaj të cilëve do të kërkohet kompensim.

Për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur më 27 Nëntor në ishullin Rodos të Greqisë, janë arrestuar dy persona. Ata janë 21-vjeçari grek Manoli Koukouras dhe 20-vjeçari shqiptar Aleksandër Luca. Ky i fundit ka pranuar përfshirjen e tij në krim. Para hetuesve ai deklaroi se me Elenin ishte njohur prej disa ditësh dhe mbrëmjen fatale të 27 Nëntorit kishte shkuar në shtëpinë e saj së bashku me mikun e tij grek. Aleksandri ka pohuar se shoku i tij i kërkoi diçka Elenit, e cila refuzoi. Në këtë moment Manoli Koukouras e goditi me hekur në kokë. Eleni iu lut të dyve ta dërgonin në spital, por 21-vjeçari Koukouras refuzoi. Ai bindi edhe shqiptarin që të zhduknin trupin e saj, dhe kështu vepruan. Ata e lidhën nga këmbët 21-vjeçaren dhe e hodhën në det nga një lartësi 10 metra. Trupi i të ndjerës u gjet nëpër shëmbinj të nesërmen. Kamerat e sigurisë së një rruge kanë filmuar momentin kur Aleksandër Luca është i shoqëruar me studenten Eleni Tofaloudis para se të shkonin në shtëpinë e saj. Ndërsa, 21-vjeçari grek nuk ka pranuar asnjë akuzë të bërë ndaj tij.

Ekspertët mjeko-ligjorë thanë se studentja vdiq si pasojë e mbytjes, ndërsa në trupin e saj kishte shenja dhune. Ata shtuan se 21-vjeçarja do të ishte gjallë nëse do të ishte dërguar në spital. Hetuesit kanë dyshime se vajza edhe mund të jetë përdhunuar. Ndërsa si pistë të ngjarjes, autoritetet janë bazuar pikërisht në faktin që 21-vjeçarja refuzoi të kryente marrëdhënie me djemtë, e për këtë arsye u dhunua nga dy të rinjtë. /tvklan.al

 

 

Pas