Aktualitet

Dënohet muxhahedini iranian, vodhi konserva në një market në Babrru  


               Publikuar në : 20:22 - 26/02/17 |
b.f

Një shtetas iranian, pjesë e refugjatëve muxhahedinë të strehuar në Shqipëri, ka përfunduar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës, raporton “Panorama”.

Ai është gjykuar për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”, vepër e kryer gjatë kohës që strehohej në qendrën e azilkërkuesve muxhahedinë në zonën e Babrrusë.

Gjykimi ndaj 47- vjeçarit Mohsen S. përfundoi pak ditë më parë, ku ai u deklarua i fajshëm dhe u dënua me 6 muaj burg.

Ai u gjykua në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe nuk do të përfundojë në qeli. Gjykata pezulloi dënimin e tij me burg, duke e lënë në provë për një periudhë 18- mujore, gjatës së cilës ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës sqarohet se i pandehuri Mohsen S., aktualisht ishte azilant pranë qendrës së azilkërkuesve që ndodhet në zonën e Babrrusë në kryeqytet. Më 31 gusht 2016, rreth orës 13:30, ai është kapur në flagrancë nga pronari i një marketi, teksa po vidhte mallra ushqimorë në dyqanin e tij.

Marketi në fjalë ka qenë në një largësi të vogël nga qendra ku ishin vendosur azilantët muxhahedinë. Sipas vendimit, i pandehuri Mohsen S. ka futur në çantën që kishte me vete disa mallra ushqimorë dhe ka tentuar të largohet pa i paguar. Veprimet e tij janë vënë re nga pronari i marketit.

Ky i fundit nuk e ka lejuar 47-vjeçarin të largohet nga dyqani i tij. Në çantën e refugjatit ai ka gjetur tri konserva peshku, një shishe me një pije freskuese të gazuar dhe një shishe keçap. Pronari i marketit ka lajmëruar policinë.

Pas administrimit të kallëzimit të tij ndaj shtetasit iranian është regjistruar procedim penale për akuzën e “vjedhjes”. I pyetur rreth këtij fakti, i pandehuri ka pranuar vjedhjen. Njëkohësisht, ai ka theksuar se kishte vjedhur edhe një ditë më parë në të njëjtin market për shkak se nuk kishte mundësi të paguante, pasi ai ende nuk kishte marrë pagesën nga organizata e muxhahedinëve.

Edhe gjatë gjykimit i pandehuri ka pranuar veprën e kryer, si edhe ka shfaqur pendim të thellë, duke i kërkuar gjykatës falje me premtimin se nuk do të kryente më një veprim të tillë. Në arsyetimin e pezullimit të dënimit me burg për të pandehurin, gjykata theksonte rrezikshmërinë e paktë shoqërore të tij, faktin se ishte i padënuar më parë, si edhe faktin se i pandehuri është azilkërkues në Shqipëri.

Pas