Aktualitet, Kryesore

Debati për Teatrin, Meta thirrje qeverisë dhe bashkisë: Dëgjoni shqetësimet e artistëve

Debati për Teatrin Kombëtar është ashpërsuar, pasi Qeveria përgatiti një pr/ligj që parashikon shembjen e godinës ekzisuese dhe ndërtimin me koncensionin të teatrit të ri nga “Fusha.sh.p.k”.  Reagimet e komunitetit të artistëve janë të ashpra. Ata paralajmërojnë deri në grevë urie. Sakaq sot në Komisionin e Medias si asnjëherë më parë, mazhoranca bojkotoi mbledhjen, ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e opozitës dhe artistët.

Në këtë situatë të ndezur ka reaguar Presidenti i Republikës i cili edhe më herët ka qenë në mbështetje të artistëve. Në një deklaratë për mediat, të zyrës së shtypit të Presidencës thuhet se: “Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”, thotë Meta në mesazhin e tij.

Deklarata e plotë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta po ndjek me vëmendje të veçantë dhe në vijimësi shqetësimin e komunitetit të artistëve lidhur me problemin e godinës së Teatrit Kombëtar, të kthyer tashmë në një debat publik.
Presidenti i Republikës organizoi edhe një takim me një përfaqësi të artistëve kohë më parë dhe ka dëgjuar shqetësimet e sugjerimet e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme.

Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare.

***

Kontrata me Fusha sh.p.k

Në draftin e qeverisë parashikohet ngritja e një Komisioni Negocimi i cili do të hyjë në negociata me partnerin privat për të hartuar në bashkëpunim një projekt kontratë. Në përbërje të Komisionit të Negocimit janë Ministria e Drejtësisë, ajo e Financës dhe Ekonomisë, e Infrastrukturës dhe Energjissë, ajo e Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe Teatri kombëtar. “Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha shpk”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit” thuhet në vendim.

Sakaq një rol të rëndësishëm në proces do të ketë edhe Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit është është përgjegjëse për hartimin dhe administrimin e të gjitha procesverbaleve dhe dokumentet e procedurës dhe çdo dokumenti tjetër që lidhet me procedurën e përcaktimit dhe negociimin e kushteve të kontratës, përfshirë edhe procesverbalet e mbledhjeve, kur është rasti.

Kontrata në finale të saj duhet që të kalojë parimisht në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës dhe më pas pranë Qeverisë.

Kushtet e kontratës së negociuar do te kalojnë me dhënie pëlqimi në parim nga Këshilli Bashkiak me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit dhe do të dërgohet zyrtarisht nga Bashkia Tiranë pranë ministrive të përmendura në pikën 3 të nenit 6 të këtij ligji me qëllim dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave.
Kontrata do të nënshkruhet nga kryetari i Bashkisë Tiranë brenda afatit kohor prej 10 ditesh nga hyrja në fuqi e Vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e kontratës. Kontrata hyn në fuqi me nënshkrimin nga Kryetari I Bashkisë”, thuhet në draft.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko