Aktualitet

Cili oficer Sigurimi po na këshillon ligjin e ri të arkivave?

               Publikuar në : 19:51 - 14/06/18 |
rel d

Nga Kastriot Dervishi

Siç kam bërë të ditur më parë, prej disa muajsh është ngritur një grup pune me urdhër të kryeministrit për të bërë ndryshime në ligjin aktual të arkivave. Ndryshimet nuk synojnë të sjellin përmirësime të gjendjes katastrofale ku ndodhet rrjeti arkivor i vendit, por të rehabilitojnë gafat dhe shkeljet e deritanishme të kryeministrit të vendit, bërë në shkelje të ligjit të arkivave, si në rastin e shkatërrimit të Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Brendshme, shpërbërjes së arkivave vendorë apo në dhënien me “koncesion” të arkivave.  Deri më tani janë paraqitur dy variante të cilat kërkonin të ligjëronin shkeljet e bëra deri tani. Po veçoj nenin 20 për arkivat e sistemit. Ka një ndryshim nga projekti i parë. Është ndryshuar emri i Arkivit të Sistemit të MB-së, në “Arkivi i Rendit”, si dhe është zgjatur koha e dokumenteve të Arkivit të SHISH nga viti 1991 në vitin 1944. Propozuesit i japin të drejtë vetes, pa kurrfarë mbështetje ligjore si ta shqyejnë e copëzojnë Arkivin e MB-së, duke vendosur se ky arkiv duhet të administrojë vetëm dokumente policie, në një kohë që këto të fundit janë më shumë se 20% të fondeve të tij. Historia e Ministrisë së Punëve të Brendshme është ajo që është dhe nuk ndryshohet me ligj. Si në ligjin e vjetër të arkivave nr.7726, datë 29.6.1993, në nenin 15 është vendosur që arkivi i MPB-së nuk ndahet, por ruhet i paprekur në Arkivin e MB-së. Edhe në ligjin në fuqi të arkivave, ky parim është ruajtur. I tillë duhet të jetë gjithë sepse është fondkrijuesi i vetëm. Po gafat vijnë me Arkivin e SHISH-it, që duan ta bëjnë arkiv sigurimso-shik. Edhe këtu janë në shkelje të ligjit. Sipas ligjit nr.7495, datë 2.7.1991, SHIK është institucion i ri në varësinë e kryeministrit dhe nuk ka lidhje me aktivitete të para vitit 1991. Duke rënë në këshillat e ndonjë sigurimsi mediokër që e kujton SHISH-in e sotëm vijues të Sigurimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përcjellë një tjetër gafë të cilën kërkon ta bëjë ligj. Habitem si nuk e kanë çuar datën në vitin 1943 ashtu si shoku Enver me konferencën e Labinotit.

Nga përvoja e punës, e kohës kur kam kërkuar që SHISH të mos ketë asnjë fletë në arkivin e tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, vija re se oficerë të Sigurimit që i gjen me shumicë te ky institucion, e quanin institucionin pasues të Sigurimit të Shtetit dhe duheshin pyetur ata për dokumente të tij. Sigurisht asnjëherë nuk kam pranuar copëzimin e arkivit dhe përfillur logjikën mediokre të sigurimsave, por u habita tej mase kur e gjeta këtë të materializuar te projektligji  i ri për arkivat. Kam arsye të besoj se ndonjë sigurims, si gjithë kjo kategori e pavlefshme, ka këshilluar e mbushur mendjen e hartuesve të projektligjit. Fatkeqësi të marrësh mendtë e tyre.

Jo shumë kohë më parë, pa asnjë bazë ligjore, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i dorëzoi Autoritetit të “hapjes së dosjeve” 18 kuti dokumentacion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesë të fondeve të saj (AQSH-së), të përpunuara apo jo (nuk ka pikë rëndësie, sepse u cenuan fondet arkivore). Këto dokumente ishin pjesë të fondeve ku ishin dërguar këto dokumente dhe pjesë të pandashme të praktikave. Unë kam qenë në dijeni të tyre, si dhe i kam shfletuar këto dokumente qysh nga viti 2008, por asnjëherë nuk kërkova kthimin në Arkivin e MB-së sepse kështu do cenoja fondet e AQSH-së dhe praktikat përkatëse të tyre, e se këto dokumente ishin me shënime të institucionit ku ishin dërguar. Të gjitha këto dokumente kanë nënshkrimet e ministrave: Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Hekuran Isai, Simon Stefani. Asnjë dokument nuk ka nënshkrimin e drejtorëve të Sigurimit të Shtetit. I sfidoj publikisht të nxjerrin qoftë edhe një dokument me firmë drejtori drejtorie.

Kur drejtori i përgjithshëm i Arkivave nuk do të kuptojë se nuk ka fond të Sigurimit të Shtetit, por vetëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo kur drejtori thotë në konferencë shtypi se do jetë pjesë e një skuadre gjuetarësh që do gjejë nëpër dokumente “ujqërit e Sigurimit”, e kur këshillohet me gjeneralët e Sigurimit, çfarë pres unë të më thonë të tjerët. Drejtori i DPA-së nuk është gjuetar ujqërisht dhe as dorëzues dokumentacioni. Nuk dimë sa “ujqër” kanë dalë deri tani. Asnjë arkiv në botë si institucion i përhershëm nuk dorëzon dokumente, por tërheq dokumente. Në këtë kohë shqepjesh arkivash, të kenë kujdes edhe me fondin e hetuesisë së përgjithshme se ligji nuk u jep asnjë të drejtë të nxjerrin jashtë Arkivit Qendror Shtetëror, sikurse nuk mund të shpikin “praktika unifikuese”, kur në të njëjtën kohë po shkatërrojnë unitetin e fondeve të Arkivin e të Sistemit të MB-së.

Kësisoj jemi në pritje të miratimit të ligjit më të dobët e më idiot që ka pasur historia e arkivave të Shqipërisë, i cili konkurron për nga marrinat vetëm me ligjin e vitit 1984. Uroj jetë sa më të shkurtër të ligjit të ri dhe ndërgjegjësim sa të madh të opinionit qytetar për rreziqet e shumta që po kalon rrjeti arkivor i vendit. Gjithsesi ligji i ri do lërë pasoja të rënda që do shoqërohen me humbje të përhershme dokumentacioni.

Pas