-Shëndeti

Cilat gra janë të rrezikura nga kanceri i gjirit?

               Publikuar në : 19:15 - 09/10/18 |
Gerta

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.

Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.

Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Instituti i Shëndetit Publik u bën apel grave dhe vajzave të bëjnë ekzaminimin e mamografisë i cili ofrohet falas në të gjitha spitalet.

Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë:

Mosha-rreziku rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken dhe moshat e reja
Ndryshimet në disa gjene – deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik. Gratë që kanë trashëguar këto ndryshime gjenetike janë në rrezik të lartë edhe për kancer të vezoreve.
Fillimin e hershëm të menstruacioneve – femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.
Fillimin e menopauzës pas moshës 55 vjeç – ashtu si fillimi i hershëm i menstruacioneve, edhe menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancerin e gjirit.
Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.
Mungesën e aktivitetit fizik.
Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës.
Indi i gjirit i ngjeshur/i dendur
Historitë personale me kancer gjiri-femrat që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit.
Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.
Alkoolpirjen dhe pirjen e duhanit

Nëse një grua ka faktorë rreziku për kancer gjiri, ajo duhet të flasë me mjekun lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë./Opinion.al

Pas