Editorial

Çfarë i mungoi protestës së opozitës?

Nga Desada METAJ

 

Opozita ja doli të mbledhë sot në shesh mijra qytetarë në një protestë paqësore,që edhe pas debateve të përhershme për numrin e pjesmarrësve arriti të bindë edhe më skeptikët se numri i atyre që nuk e duan këtë qeverisje nuk mund të mos merret në konsideratë.

 

Në vetvete protesta nuk solli ndonjë element të ri edhe pse paralajmërimet dhe masat e shtuara të policisë u panë si elementë që mund të sillnin trazira. Në të tilla kushte kritikët e opozitës së Bashës e konsideruan këtë si zbehje të frymës opozitare ndërsa të tjerë i gjykuan fjalimet e mbajtura si përsëritje e pavlerë e mitingjive të ngjashme organizuar nga PD. Dhe ndoshta kanë të drejtë. Pas përplasjes së fortë që ndodhi në seancën e zgjedhjes së prokurores së përkohshme,shumë mbështetës të opozitës prisnin një përballje më të ashpër me qeverinë e Edi Ramës.

 

Protesta paqësore mund të jetë një vlerë e shtuar për qetësinë e qytetarëve indiferentë, por për ata që janë prekur drejtëpërsëdrejti nga kriminalizimi dhe korrupsioni i qeverisë ndoshta zhvillimi kaq i paqtë i protestës nuk mjaftoi. 

Dhe kjo në fakt duket të jetë dhe dilema e post protestës së opozitës,ndërsa shifrat e pjesmarrjes s’mund dhe s’duhen marrë kurrsesi në konsideratë nëse mungon motivi dhe frymëzimi për ta vijuar më tej atë që nisi sot në sheshin përpara kryeministrisë. 

 

Mbase edhe vetë liderët e opozitës nuk i kanë të qarta detajet e betejës së ardhshme me qeverinë. Por do të ishte mëkati më i madh i tyre nëse protestën e sotme do ta konsideronin fitore mbi keqqeverisjen e Edi Ramës. Sepse ndërkohë që opozita proteston paqësisht dhe me qytetari, kryeministri vijon të mbyllë çdo dosje kriminale të bashkëpunëtorëve të tij. Dhe këtë e bën paturpësisht,në mes të ditës dhe me arrogancën e njeriut që zotëron çdo pushtet.

 

Sot opozita mund të demonstrojë paqësisht me pankarta tallëse për ish ministrin e brendshëm, por kryeministri,ministrja e drejtësisë dhe prokurorja e përkohshme vetëm dy ditë më parë ekstraduan në shkelje flagrante të ligjit dëshmitarin e vetëm të çështjes Tahiri.

 

Protestuesit sot mund të talleshin pa fund me vjedhjen që po i bëhet çdo pasurie të shqiptarëve, por vetëm javën e kaluar shqiptarët panë qartë që klientët e Edi Ramës kanë vjedhur plot 704 milionë euro vetëm nga Armo pa i hyrë gjemb në këmbë.

 

Sot me shumë të drejtë kryetari i PD përmendi në fjalimin e tij tenderin dhe milionat e abuzimit të check_up-it të Vilma Nushit,por kjo prapë është shumë pak përpara milionave që tenderohen dhe jepen me konçensione klientëve të Edi Ramës. Dhe për këtë nuk mjafton vetëm një emër i përveçëm.

 

Për sa më sipër,protesta e sotme është një vlerë e shtuar në kundërshtimin që i bëhet një qeverie që po e degradon këtë vend çdo ditë e më shumë. Por që nuk mjafton për të përcjellë zemërimin e shumë shqiptarëve dhe prindërve që përveç se varfërohen materialisht,po zhvishen çdo ditë nga vlerat  e po shohin që fëmijët e tyre kanë për  model personazhet e filmit “Narcos” apo ish deputetë të Edi Ramës.

 

Një protestë si e sotmja mund të marrë notë të mirë nga selitë e ambasadave,por kurrsesi nuk mund të përcjellë zemëratën e shumë shqiptarëve që kanë parë qartë sesi ambasadorë të rëndësishëm nuk kanë folur kurrë për kanabisin dhe nuk lodhen së bëri avokatinë e kryeministrit. Dhe për këto opozita tashmë duhet të flasë hapur dhe pa klishe diplomacie vasalësh.

 

I takon  opozitës që betejën e nisur sot ta vijojë duke motivuar më së shumti veten për një luftë të gjatë e të vështirë me një kryeministër që tashmë ka çdo pushtet dhe shumë para për të blerë gjithccka ka mbetur pa shitur.

 

Është detyrë e opozitës të bindë çdo shqiptar që nuk ka ndërmend të bëjë pazar me pushtetin dhe se e ka me të vërtetë kur kërkon një qeveri antimafia. Dhe për këtë një miting nuk mjafton.

Mund dhe duhet të  jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë lufte ku fryma e  protestës dhe guximi për t’u përballur me çdo mjet demokratik mbeten të vetmet armë në dorë të një opozite,nga e cila të gjithë presim më shumë./Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko