Komente

“Brryli Broadway”, opozita kryeqytetase

               Publikuar në : 09:15 - 07/08/18 |
m.b

Gent Gaba

Karakteri i përbotshëm i rrjeteve sociale, ka bërë që edhe në Shqipëri të përhapet moda e faqeve apo platformave me përmbajtje satirike, denoncuese apo argëtuese të realitetit politik dhe social. Këto janë komunitetet më të reja të botës digjitale, të afta që në eterin e internetit të luftojnë limontinë që kaplon jetën reale. Nëse dikur betejat publike zhvilloheshin nëpër sheshe, me protesta të gjalla, madje edhe agresive, sot fronti i ri është  “në linjë”. Protestuesit, aktivistët, apo kometuesit e jetës politike kanë hedhur “gunat përmbi telat e internetit”; traktet, pankartat, tymuesit janë zvendësuar me pëlqime, cicerima, komente dhe share (shpërndarje).

 

Në këtë botë të re, parullat nuk shkruhen mbi muret e pallateve të pa suvatuara, ato marrin trajten e “memeve” në muret e Fejsbukut.

 

Padyshim pjesa dërrmuese e frekuentuesve të internetit dhe rrjeteve sociale janë të njohur me këtë fjalë. Një meme është një formë e të shprehurit që përcjell në rrjet një përmbajtje gazmore, kritike apo ironike (një imazh, një tekst, një video) e cila, nëse është e sukseshme, bëhet virale në pak kohë. Memet ofrojnë një thjeshtëzim të komunikimit politik, dhe regjistri tejet banal me të cilin po shprehen përfaqësuesit e saj kohët e fundit i bën ata vulnerabël ndaj tyre.(“Do bëhesh meme” ishte vikama e Arben Ahmetaj kundër Agron Shehaj, si pasojë e asaj britme ministri u kthye vetë në një të tillë!). Për të mos folur për apatinë e qytetarëve ndaj politikës, e cila bënë që memet të kthehen jo vetëm në ekzorcizim të kësaj bezdie, nëpërmjet talljes së atyre që “tallen me popullin”, por edhe në formën e vetme me të cilën ajo bëhet e durueshme për qytetarët e thjeshtë: ironinë.

 

Fshikullimat e kësaj satire 2.0 bien kryesisht mbi të fuqishmit e momentit; sa më lartë që janë në zinxhirin ushqimor të pushtetit, më i fortë është interesi që publiku shfaq kundrejt mesazhit. Një fotografi apo video, të cilave i bashkangjitet një togfjalësh i shkurtër, arrin të nxjerrë gollomesh një politikan në pushtet, më shumë se dhjetra deklarata të një force opozitare.

 

Si ilustrim mjafton të kujtojmë një nga prodhimet e shumta të “njëriut të memeve” Genc Sejko, i cili arrin të përcjellë nëpërmjet fotoshopit shpirtin e oponencës ndaj pushtetit. Kur në mbrojtje të Teatrit Kombëtar qytetarët pozonin përballë aparatit fotografik me pankartën “Unë jam teatrit”, Sejko, me “artin” e tij, përmbys këtë pamje, dhe na ofron imazhin e Kryeministrit Rama me në dorë një pankartë në të cilën shkruhet “Unë jam kulla”. Në këto raste efekti është i pritshëm: ironia therrëse lejon një shpërndarje masive që arrijnë qindra mijëra njerëz, një mesazh që mbrin lehtësisht, gati si një koncentrat lajmi, qytetarin më të largët dhe më të painformuar të Shqipërisë.

 

Ndryshe nga sa ndodh deri më tani në vende të tjera, si për shembull në SHBA, ku memet u përdoren politikisht nga partitë për të zhvilluar propagandën e tyre; në Shqipëri janë ende një mjet me të cilin shpreht pakënaqesia e qytetarëve të indinjuar me politikanë. Për sa e çuditëshme mund të duket, këto faqe japin një kontribut i vyer dhe janë tejet demokratike, pasi shperndajne një informacii që nuk do të ishte i arritshëm në kontekstin aspak normal në të cilin jetojmë; ku mediat tradicionale i bëjnë “fresk” mazhorancave.

 

Impakti i madh që këto komunitete kanë në formësimin dhe sensibilizimin e opinionit publik, dhe paaftësia për t’i censuruar, i ka shndërruar ato në objektiva të sulmeve të shumta kibernetike; i tillë është edhe rasti i Brryli Broadway, faqja me emrin e lagjes kryeqytetase. Pak muaj më parë “faqja”, që prej tetë vitesh luan një rol të rëndësishëm në këtë dimension të ri të hapsirës digjitale, nëpërmjet ekspozimit të propagandës dhe hipokrizisë së pushtetit, pësoi një sulm të koordinaur i cili u ekzekutua nëpërmjet raportimeve në Fejsbuk. Aksioni shkaktoi mbylljen e faqes historike, por jo fundin e aktivitetit të saj “opozitar”. Në pak kohë ajo u rihap, dhe, si për hiç gjë, fitojë sërishmi mijëra ndjekës.

 

Kjo nuk është vetëm një shenjë se Brryli dhe faqet e ngjashme, janë forma të reja komunikimi që do të  qëndrojnë gjatë midis nesh, por që memet janë tashmë një gjë shumë serioze.

 

Prandaj, mos luani me to!

 

 

Pas