Aktualitet, Sport, Te Fundit

Botërori me 48 skuadra, De Biazi: I lumtur, se jemi të vegjël!

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka komentuar vendimin e fundit të dalë nga zyrat e FIFA-s për rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror në 48, duke filluar nga viti 2026.

“Pro apo kundër? Unë jam me ato pro, jam me të vegjlit, padyshim. Nëse kemi më shumë mundësi për të shkuar në Botëror mundemi vetëm të buzëqeshim ndaj kësaj zgjedhje”, tha De Biazi për “Sky Sport”.

“E kuptoj që mund të interpretohet si nder ndaj zgjedhësve të veçantë, por ndërkohë mendoj se është rasti më i mirë për të pasur mundësinë e ndryshimit të bazës dhe formatit të aktivitetit. Ndryshimet kanë ndodhur edhe më parë, merrni për shembull Europianin e radhës: do të jetë në udhëtim dhe në ndryshim. Në rastin e Europianit të ri, kjo është një mënyrë për të zgjeruar kufijtë e futbollit dhe për të ulur shpenzimet për çdo shtet.

Euro 2016 na ka mësuar se realitete e vogla si e jona, apo Uellsi dhe Irlanda, mund të konkurrojnë në nivele të larta edhe pa një traditë të rëndësishme pas krahëve”, deklaroi trajneri i kuqezinjve i cili gjithsesi duket e pamundur që të jetë në stolin e Shqipërisë kur të fillojnë eliminatoret për Botërorin 2026 dhe kombëtarja të ketë mundësinë të shfrytëzojë këtë shans.

Për momentin, De Biazi duket i përqendruar te shanset që ka Shqipëria për t’u kualifikuar në Botërorin 2018. “Në jetë duhet të punosh gjithmonë dhe të përpiqesh të kapërcesh pengesat, të largohesh nga vendet e zakonshme dhe sfidosh traditën që të thotë se është e pamundur të bësh disa gjëra. Ndoshta nuk shkon gjithmonë ashtu siç do, por është e rëndësishme ta provosh dhe mendoj se kjo u jep shpresë edhe Federatave të vogla, për të vazhduar të punojnë dhe të përmirësohen.

Të stërvitësh një ‘të vogël’ përbën një motivim të madh dhe nuk ke peshën e përgjegjësisë që të jep emri. Në të njëjtën kohë, mendoj se jeta nuk të mundëson të rrish e të mendosh gjatë: duhet të prodhosh gjithmonë rezultate të reja, të vendosësh objektiva të reja dhe të kesh dëshirën të rritesh, pa u ndalur në vetëkënaqësinë e rezultateve të mira”, deklaroi ai.

 

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko