Editorial

“Bora e Fundit” apo“Bora e Përlyer”, kush fshihet pas kokainës 180 milion USD?!!

               Publikuar në : 10:00 - 03/03/18 |
d.l

Nga Dritan Laci

Tri ditë pasi Ministria e Brendshme dhe vetë Kryeministri Rama reklamuan me supersukses aksionin “Last Snoë” apo shqiptarizuar “Bora e fundit”, ku në një magazinë në Maminas u kapën në kontenierë të kamufluar me banane kolumbiane, 613 kg kokainë me vlerë 180 milionë euro, ende ka shumë hije dyshimi mbi këtë aksion, që për nga emri piktoresk i pagëzuar “Bora e Fundit” tashmë mund të quhet edhe “Bora e Përlyer”, për shkak të një mundësie hipotetike të një dekonspiracioni për ta pastruar dëborën nga gjurmët e një “Ujku të madh” që me gjasa fshihet më përtej në pyll se sa një magazinë modeste bananesh në dritë të hapur në krah të një autostrade.

Në këtë mjegullnajë pikëpyetjesh që shkojnë përtej gjurmëve që na ka servirur Policia e Shtetit, pikëpyetja e parë që të shkon nëpërmend është: Përse nuk u mbajt në kontroll magazina e kokainës për të parë nëse ishte ky fundi i udhëtimit të kësaj sasie rekord kokaine, por u nxitua që aksioni të mbyllej në një magazinë që nuk kishte kushtet e një laboratori të përpunimit të kokainës? Çfarë nxitimi kishte Policia e Shtetit të priste derisa “Ujku i madh” të dilte nga strofkulla?

Në thelb ky mund të jetë një skenar hipotetik, por për sa kohë mbetet një pikëpyetje e madhe së cilës Policia e Shtetit dhe këtu përfshi edhe Ministrinë e Brendshme nuk i kanë dhënë ende përgjigje, vlen ta shtjellojmë deri në fund si hipotezë sa kohë që Shqipëria nuk është një vend konsumator në të tilla përmasa të kokainës.

Pyetja e parë është përse një klan shumë i fuqishëm droge si “Klani i Golfit”(El Clan de Golfo) në Kolumbi i njohur për fuqinë dhe mizorinë e tij ishte i interesuar të sillte një sasi kaq të madhe prej 613 kg kokaine, me vlerë prej 180 milion  dollarë, në një vend si Shqipëria, me 6 mijë përdorues të deklaruar të kokainës.

Do ishte shumë naive po ta mendoje, që një grup kaq i fuqishëm narkotrafiku ndërkombëtar, ta mendonte Shqipërinë si një vend fitimprurës për shpërndarjen e kokainës.

Kush mund të mendojë se 6 mijë përdorues kokaine në Shqipëri mund të konsumojnë 180 milion dollarë kokainë, ose 30 mijë dollarë për një konsumator.

Në kushtet kur kjo hipotezë nuk është aspak fitimprurëse, logjika të shpie në një tjetër skenar.

A u soll kjo ngarkesë kokaine në Shqipëri për tu certifikuar në laboratorët e këtushëm të drogës dhe më pas të niste sërish shtegtimin në vendet e fuqishme konsumatore në Evropë, nëpërmjet një vendi si Shqipëria të njohur për rrugët tokësore dhe detare të kalimit të lëndëve narkotike?

Kush është ujku i vërtetë që kishte dhënë sigurinë se kjo transfertë me të hyrë në Shqipëri nuk do të prekej, por që skenari i doli nga duart pasi në këtë lojë ishin përfshirë në informacion edhe agjencitë e huaja partnere ligjzbatuese?

Përse nxiton kryeministri Rama të marrë suksesin e këtij operacioni, duke mënjanuar partnerët e huaj, aq sa shkon deri aty me deklaratat e tij sa  të thotë se droga kaloi në hundën e vendeve evropiane, por e kapën shqiptarët?

Dhe dalim sërish te pyetja, përse sa kohë Policia e Shtetit kishte dijeni dhe kontroll mbi situatën përse nuk u mbajt në vëzhgim magazina e drogës, por u nxitua që loja me kokainën të mbyllej aty, pa pasur durimin për të ndjekur deri në fund ku do të shkonte?

Mos ndoshta dikujt shumë lart i ka interesuar që loja të mbyllej me kaq..

A është vërtetë kjo “Bora e Fundit”. apo ndoshta marsi mund të sjellë një tjetër rrymë të ftohtë me “rreshje të dendura kokaine”/ Opinion.al

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Pas