-Destinacione, -Turizëm, -Vënde për tu parë, Aktualitet, Te Fundit, Të Gjitha, Travel

Blogu spanjoll ngre në piedestal kryeqytetin shqiptar: A është Tirana qyteti më “cool” në Evropë?

Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po bëhet një prej destinacioneve më të preferuara turistike. Përveç kësaj vendi ynë po promovohet gjithnjë edhe më shumë në mediat e huaja duke na bërë të ndihemi edhe më krenar, të paktën për bukuritë që mban kjo tokë. Kësaj herë pas prestigjiozes “Vogue”, blogu spanjoll “Traveler.es” i ka kushtuar një artikull Tiranës, duke e cilësuar si qytetin më “cool” në Evropë….

“Titulli për “qytetin më interesant të Evropës” ka shumë kandidatë si përshëmbull, Barcelona, Brukseli, Birmingam, por këto të treja duhet t’i lënë hapsirë një tjetër qyteti që është Tirana. Ju duket surprizuese? Atëherë tregohuni të vëmendshëm. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe qendra e saj e zhvillimit ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja miksohen me historinë, trafikun dhe artin.

Pas zgjimit në vitet 90’ nga regjimi i egër i diktaturës komuniste, Tirana ka arritur sot të hapë dyert për turistët nga e gjithë bota. Midis relikeve osmane, italiane dhe politike, Tirana zbulohet në një rrugë bulevardesh të rrethuar nga minare, muralë socialistë dhe vepra arkitekturore që nuk do ti gjeni tjetër kund. Bukuria e këtij qyteti përforcohët më tepër gjatë muzgut, ku me shëtitjet e gjata në sfondin e një muzike shqiptare, më tepër se sa fundi i një ditë, duket si fillimi i një mbrëmjeje të paharrueshme. Çdo gjë, përmban një shenjë karakteristike shqiptare që ju lejon të mendoni se po zbuloni një nga sekretet më të mira të Evropës. Ejani në Tiranë që tani, përpara se ajo të bëhet shumë popullore.

Blloku është zona më interesante e Tiranës, një vend i ndodhur pak më tutje qendrës dhe Sheshit Skëndërbej, ku ndodhen Teatri i Operas dhe Galeria e Arteve. Kjo lagje më parë ishte e rezervuar për elitën politike të Shqipërisë, ku për dekada me radhë hyrja ishte rreptësisht e ndaluar për pjesën tjetër të popullësisë. Kur diktatura ra në vitin 1990, Blloku u zbulua për herë të parë për Gjithë Shqipërinë, dhe duke e parë tani mund ta imagjinojmë reagimin e njerëzve atëherë.

Me ndërthurjen e rrugëve të gjera të mbushura me pallate dhe hapësira të gjelbërta, Blloku nuk mund të largohej nga stili arkitektonik tradicional komunist. Ndër kafenetë, restorantet dhe dyqanet që do ta bënin “Neë York 5th Avenue” të zbehtë, Blloku do t’ju bëjë të pyesni veten për çdo suvenir që mund të keni marrë në shtëpi. Dhe meqë jemi te kafet, bëhuni gati sepse Tirana ka kafene ku mund të hani dhe spageti. Ballkani në përgjithësi i frekuenton shumë kafenetë, dhe Shqipëria nuk mund të ishte mbrapa.

Çoko një nga kafenetë që ndodhet në një vilë të rikonstruktuar në mes të Bllokut, do ju bëjë të ndiheni sikur jeni në Paris. Nëse preferoni një atmosferë më autoktone, “Komiteti” ju çon në fuqinë e ornamentit dhe menuve të thjeshta shqiptare në kohën e regjimit komunist.  Ju pëlqejnë tarracat? Shkoni te “Café Lincoln Garden” dhe përpiquni të mos kaloni gjithë ditën në kopshtin e tij të madh me pemë.

Nëse e doni shumë ushqimin, mund të pyesni veten se çfarë ju ofron Tirana. Kuzhina tradicionale shqiptare është mesdhetare. Shumë peshq, shumë perime, dhe shumë pak ushqime jo natyrale. Nëse ju po kërkoni fishekzjarre gastronomike, Tirana është vendi ideal për ti gjetur. Për një prezantim me kuzhinën shqiptare, vetëm disa restorante mund të rekomandohen njësoj si “Era”, një vend klasik i ndodhur në zemër të Bllokut dhe i adhuruar nga banorët e zonës. Duhet të provoni patjetër qoftet e Korçës të cilat janë më të mira nëse kombinohen me raki kumbulle.

Nëse ushqimin dëshironi ta kombinoni me disa histori, ndaloni patjetër te restorant “Hola” , ndoshta nuk do provoni paella-n më të mirë në botë, por pëvoja do të jetë unike. Kuzhunieri Francisco do ju presë me një buzëqeshje dhe me shumë mundësi do ju tregojë historinë se si ishte finalist në “MasterChef Albania”.

Nëse mendoni se pas darkës duhet të largoheni, prisni se ka ende surpriza. Mbikëqyrja e orës 20:00 është hequr që prej kohës së diktaturës, dhe që atëherë Tirana jeton natën edhe më shumë se ditën. Përsëri Blloku është pika e preferuar.

Dëshironi një pije në një vend të qetë? Kolonial ju mirëpret me menunë e tij të përjetshme të koktejeve, duke filluar nga varietetet e pafundme të rakisë deri te Cosmopolitans de Mora. Nëse dëshironi të vazhdoni më tej, “Rozafa Club” do t’ju japë arsye për të mos fjetur gjumë deri në agim.

Dëshironi një aktivitet kulturor tipik tiranas? Për sa i përket artit dhe kulturës, në Tiranë ato mund ti shihni falas. Duke lënë pas Galerinë Kombëtare dhe Operan, të cilat sëbashku formojnë pothuajse tërësinë e ofertës tradicionale artistike të kryeqytetit, ajo që do të gjeni në Tiranë në lidhje me shfaqjet artistike nuk është si çdo gjë që keni parë më parë. Për të filluar, një nga muzeumet më të rëndësishme në Tiranë është në një bunker bërthamor. Po,e keni lexuar mirë: një bunker.

Në fakt, nëse itinerari juaj shqiptar do të kalojë përtej kryeqytetit, do të shihni se peizazhi i vendit është i mbushur me kupola të vogla, si ajsbergët, duke treguar obsesionin e regjimit të vjetër komunist me një sulm hipotetik bërthamor.

Tirana ka disa, duke përfshirë këtu sot Bunk’Art 2: një muze nëntokësor kushtuar historisë politike të Shqipërisë, duke përfshirë dëshminë e madhe për tmerret e diktaturës. Nuk është një vizitë e lehtë, jo, por është më se e këshillueshme të kuptojmë pak më shumë karakterin shqiptar dhe arsyet pse vendi mbetet, në shumë mënyra, një mister i madh.

Një tjetër atraksion i preferuar që duhet parë është padyshim Piramida. Nuk ka të bëjë fare me Keopset e Egjyptit jo, kjo Piramidë është ndërtuar në vitin 1988 si një muze në nder të diktatorit të ndjerë shqiptar Enver Hoxha dhe pastaj u kthye në një qendër konferencash dhe ekspozimi.

Tani, e mbuluar me graffiti dhe pa ndonjë qëllim të veçantë, ajo përmbush një mision tjetër: të veprojë si një mur i improvizuar shkëmbor. Në çdo ditë të javës ju do të shihni fëmijët që ngjiten në piramidë me të katër këmbët, pastaj zbresin me kuti kartoni. Mos e ndaloni veten dhe bashkohuni me ta: pikëpamjet nga maja janë të vlefshme.

Por ju nuk keni nevojë të shkoni në një vend të caktuar për të parë frymën kreative të Tiranës. Atë mund ta shihni nëpër pallatet e pikturuara kudo nëpër qytet. Fasadat murale të pallateve janë të pikturuara me mollë, ylberë, apo gjëra si këto të cilat qëndrojnë në harmoni.

Nuk është rastësi. Këto ekspozime të artit tipik urban i përkasin ish kryebashkiakut të Tiranës, tani kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Pasi u zgjodh si kryebashkiak në vitin 2000, Rama, me profesion artist, filloi një fushatë për t’i sjellë ngjyrat arkitekturës gri të Tiranës. Rezultati që vazhdon të jetë i dukshëm edhe 15 vite më vonë, vazhdon të jetë një dhuratë për pamjen dhe e shndërron një rrugë të thjeshtë në kryeqytet në një surprizë konstante, një prezantim i përkryer i eksperiencës për të vizituar Tiranën.

…/Ema Shazivari/Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko