Aktualitet, Sport, Te Fundit

Bare personazh në spanjollen “As”: I pëlqen Simeones, ka një ëndërr për të realizuar

Pak muaj me ekipin e parë i kanë mjaftuar Keidi Bares për të tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv në Spanjë. Mesfushori i talentuar shqiptar është pjesë e Atletiko Madrid në fazën përgatitore që po zhvillon klubi spanjoll dhe e përditshmja sportive spanjolle “AS”, i ka kushtuar një shkrim ku i jep rëndësi faktit se Simeone po hedh gjithnjë e më shumë sytë nga shqiptari.

Sipas gazetës së njohur sportive, Bare ka gjithçka që nevojitet për të bërë përpara në këtë klub, ndërsa ka një ëndërr për të realizuar falë aftësive të tij futbollistike. Në vijim, shkrimi i plotë i “AS”:

Keidi, lojtari i akademisë që po spikat në fazën përgatitore të Atletikos

Keidi Bare është një nga ata futbollistë që ka gjithçka që i pëlqen Simeones. Agresivitet, intensitet, vrap, aftësi të rikuperojë topin dhe të bëjë trysni. Më 10 janar 2017 u bë nga Simeone futbollisti i parë shqiptar që vesh fanellën e Atletiko Madrid. Ishte kundër Las Palmas, në Kupë, me fanellën numër 44. Në këtë verë, ai është një nga 5 lojtarët e akademisë që u zgjodh për të bërë fazën përgatitore në Segovia. Ai është në planet e trajnerit, është një futbollist i cili troket herë pas here në derë…

Ishte pas një prej arritjeve të tij (debutimi në moshën 15-vjeçare në Kupën e Shqipërisë me Apoloninë e Fierit), kur Atletiko e bleu për ekipin e paraterinjve të vitit të dytë. Por nuk e  regjistroi në klub derisa të mbushte 18-vjeç, për të mos u përballur me probleme. Tani është thuajse 20 vjeç, ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe në fazën përgatitore me ekipin e parë të Atletikos, ishte i dyti në testet fizike (pas Vrsajlo), si dhe shënoi një supergol në seancën e fundit të javës së parë.

Serioz, shumë serioz në punë. Dhe i përqendruar, shumë i përqendruar, edhe pse argëton me pasime. Është nga ato futbollistët e rrallë, mund të luajë si një numër 6 apo një numër 8. Por kur avancon në pozicionin e tij, ia vështirëson lojën kundërshtarëve. I fortë fizikisht, di të mbulojë mirë nga mbrapa.

I mbetet vetëm të përmirësojë aftësinë për të bashkëpunuar me të tjerët, por për këtë mjafton Simeone, i cili bën gjithmonë më të mirë çdo lojtar. Dhe ai nuk ia heq kurrë sytë akademisë. Nëse ndokush shkëlqen, ai i beson. Kaio nuk është këtë vit, Keidi po. Ai është një lojtar që dhuron shumë orë lojë, i cili është koherent edhe në mënyrën e mbajtjes së topit.

Ai vazhdon të jetojë në rezidencën e Atletiko Madrid, por ka një objektiv: të bëjë të mundur që familjarët e tij të vijnë të jetojnë në Spanjë, ëndrra e tij më e madhe.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko