Kryesore, Sport

Babai i Valonit nxjerr në shesh politikën e Federatës Zvicerane

Valon Behrami me një telefonatë të vetme u njoftua se më nuk i duhet Kombëtares së Zvicrës. Telefonatën e kishte marrë nga njeriu të cilin e kishte shpëtuar pa u shkarkuar, Vladimir Petkoviç.

Këtë urdhër boshnjaku e kishte marrë nga shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Zvicrës, me të cilët Valoni ishte përplasur keq, kur ata kishin kërkuar prej futbollistëve që të përcaktohen për një shtetësi të vetme. Kjo për shkak se shqiponja dykrenore e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës për federatën zvicerane nënkuptonte dyshtetësi.

Babai i Valon Behramit, Ragipi, në një intervistë ekskluzive për “Zërin” i zbuloi të gjitha ndodhitë e fundit në kampin helvetik, të cilin e akuzon se për shkaqe politike ia larguan në mënyrë poshtëruese djalin i cili qe 20 vjet i shërben me zemër e shpirt shtetit helvetik.

“Menjëherë pas Botërorit Valoni e ka paralajmëruar largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës. Ai dëshironte të largohej kryesisht për arsye familjare, por edhe ndihej i lodhur dhe dëshironte që vitet e fundit të karrierës si futbollist aktiv t’i përqendrohej klubit. Mirëpo, zviceranët kanë qenë kategorikisht kundër dhe nuk e kanë pranuar largimin e tij. Ndërsa tani e larguan në mënyrën më të keqe, në mënyrë jo njerëzore”, ka deklaruar Ragip Behrami

Sikurse Valon Behrami, edhe babai i tij, Ragipi, insiston se largimi i 33-vjeçarit nga përfaqësuesja zvicerane ndërlidhet kryekëput me çështje politike.

Në kampin e Zvicrës në Botëror ishin shfaqur dallimet e përkatësive kombëtare. Sidomos te futbollistët shqiptarë – Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Këta dy të fundit i kishin festuar me shqiponjën dykrenore golat e fitores prej 2:1 ndaj Serbisë.

“Federata e Zvicrës pati shkuar shumë larg duke e quar çështjen e dyshtetësive deri në Parlamentin e Zvicrës. Andaj, Valoni e ka pas një zënkë me sekretarin gjeneral. Valoni ka qenë i zemëruar me paragjykimet e njerëzve si sekretari gjeneral, i cili është marrë me çështje të tilla përkundër faktit se Valoni dhe futbollistët tjerë shqiptarë e kanë dhënë maksimumin për skuadrën e tyre”, shpjegon Ragip Behrami për gazetarin Valon Konushevci

“Andaj, Vladimir Petkoviç vetëm e ka zbatuar një urdhër që ia kanë dhënë shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i federatës, duke e thirr Valonin për t’i treguar se i janë mbyllur dyert e skuadrës”, shton ai.

Ragip Behrami thotë se trajneri Vladimir Petkoviç nuk qe dashtë t’i bindet me lehtësi urdhrit të presidentit dhe sekretarit gjeneral të federatës për ta larguar përmes një telefonate të vetme.

“Në Petkoviçin jemi hidhëruar për shkak se ia ktheu me të keqe një të mirë që ia pati bërë Valoni. Trajnerin boshnjak patën dashur ta largojnë nga posti i selektorit të Zvicrës ndërsa Valoni e ka mbështetur dhe ka punuar në interes të tij, pra që ta mbetet trajner i Zvicrës”, shprehet babai i futbollistit në bisedën me “Zërin”.

Natyrisht se kemi biseduar shumë me Valonin rreth kësaj çështje. Ai nuk është mërzitur që është larguar, por ndihet i nervozuar me mënyrën e largimit sepse ai edhe vet ka dashtë të largohet, por nuk e kanë lënë. Mirëpo, Valoni më tha: ‘Babi, unë do të ndihesha keq sikur të më largonte futbolli, sikur të më largonin për mosangazhim. Por, kur po e di se çka kam bërë për Zvicrën, por ndihem krenar. Nuk po mërzitem që më largoi politika”, tregon Ragipi.

Ai thotë se djali i tij është dashtë të pensionohet nga Kombëtarja përmes një respekti dhe përmes një ndeshje lamtumirës për kontributin e dhënë me zemër e shpirt.

Ne nuk pendohemi për krejt atë që e kemi dhënë qe 20 vjet për Zvicrën. Zvicra ka dhënë shumë për djalin tim, familjen time, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Kështu që për dy-tre individë që e bënë krejt këtë poshtërsi nuk e përfaqësojnë një Zvicër të tërë. Tifozët janë me ne dhe po i thonë “marre” këtij veprimi të federatës zvicerane”.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko