Aktualitet, Editorial, Kryesore, Te Fundit

Asgjë e re nga fronti i dialogut!

desadaaa

Nga Desada METAJ

Edhe pse vëmendja e madhe për fatin e koalicionit të ardhshëm e shoqëroi takimin e sotëm Rama – Meta, duket se e fundit gjë që ka qenë në vëmendjen e bashkëbiseduesve ka qenë pikërisht fati i këtij koaliconi. Mesa duket mes qartësisë se do të jenë bashkë në zgjedhjet e arshshme, Ilir Meta dhe Edi Rama nuk kanë mundur ende të gjejnë rrugën që do t’i çojë drejt zgjedhjeve dhe sfidës së re të koalicionit. Kjo për faktin e thjeshtë se pavarësisht deklaratave dhe përpjekjeve për dialog, opozita mbetet e vendosur për të mos marrë pjesë në zgjedhje pa plotësuar kushtin e saj kryesor, qeverinë teknike. Edhe pse pas takimit, i vetëm në deklaratën e tij kryetari i LSI ka qenë i vendosur për të përfshirë opozitën edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, duket se pa një tryezë bisedimesh ngërçi gati 2 mujor i politikës vështirë se mund të gjejë zgjidhje.

Si gjithmonë në të tilla situata shpëtimi shihet tek te huajt. Jo më kot Ilir Meta tha sot se negociatorë të dialogut mund të jetë psh PPE, grupimi i rëndësishëm i partive europiane ku PD bën pjesë. Edhe pse ky variant u hodh poshtë vetëm pak minuta më vonë nga Lulzim Basha, fakti që javën e ardhshme Shqipërinë do ta vizitojnë figura të rëndësishme të politikës europiane nuk e përjashton mundësinë që zanafilla e dialogut të munguar të jetë pikërisht nga të huajt.

Kjo dhe për faktin e thjeshtë se afatet për të përfshirë opozitën në zgjedhje janë drejt fundit dhe pavarësisht qetësisë së dukshme të palëve, mospjesëmarrja e saj do të shënonte një rast të paprecedent në Shqipëri. Dhe duke u ndodhur përballë një skenari të tillë, ajo që vlen më shumë ka të bëjë me qëndrimet e palëve. Kush nga dy partitë e mëdha do të tërhiqet apo do të lëshojë terren për të gjetur një zgjidhje? A do të tolerojë opozita kërkesën e saj për qeveri teknike duke rënë dakort për një zgjidhje më të “butë”? Apo Edi Rama do të pranojë më në fund të shkojë në 18 qershor jo më si kryeministër por vetëm si kryetar i PS?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve pa dyshim që përfshijnë dhe qëndrimin që do të mbajë LSI, si partia që deri më tani nuk ka toleruar që në Shqipëri të zhvillohen zgjidhje pa opozitën. Por limitet e afateve të përcaktuara në kushtetutë duket se po shkojnë drejt fundit dhe mundësitë që palët të ulen në një tryezë janë më të vogla se një javë më parë. 13 prilli është data kur zyrtarisht do të nisë procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, data 19 prill është afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve në KQZ dhe 3 maji dita e fundit kur partitë do të dorëzojnë listat emërore të deputetëve. Nëse deri në këto data nuk do të ketë asnjë zhvillim të ri, zyrtarisht Shqipëria do të ketë një proces elektoral pa opozitën dhe një president pa konsensusin e saj.

Ndërsa zgjedhja e kreut të ri të shtetit është një veprim matematikor për të cilin PS dhe LSI kanë votat e duhura për ta nisur e përfunduar së bashku, pikëpyetja e madhe mbetet dita dhe mënyra se si do të shkohet në zgjedhje. Ndërsa ditët kalojnë dhe dialogu ka ngecur, zërat se të huajt mund t’i japin zgjidhje situatës duken më të besueshëm në një situatë ku mosbesimi për organizimin e zgjedhjeve të lira është kushti i panegociueshëm i opozitës. Dhe jo vetëm i saj./ Opinion.al

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko