Bota, Kryesore

Arrihet marrëveshja e vështirë për emigrantët, BE: Kampet do ngrihen vullnetarisht

Në orët e para të mëngjesit të së premtes u arrit një ujdi në samitin e BE-së për migracionin pas një nate të gjatë debati. Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE, por nuk është specifikuar, se cilat vende do t’i ngrenë këto kampe të mbyllura dhe ato parashikohen si kampe që ngrihen vullnetarisht. Po ashtu Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontexi do të forcohet me personel deri në vitin 2020. BE e kthen në prioritet mbrojtjen e kufijve të saj jashtëm.

Ndalimi i migracionit sekondar

Megjithëse në deklaratën përfundimtare të samitit është futur vetëm një klauzolë për ndalimin e migracionit sekondar, kjo është një pikë që mund të ndihmojë Merkelin në grindjen me CSU, e cila e sheh këtë “turizëm azili.” Fjala është për refugjatët që shëtisin nga një vend i BE në tjetrin, dhe stacionohen aty ku është më mirë. Asnjë azilkërkues nuk ka të drejtë të kërkojë sipas dëshirës vendin në BE ku dëshiron të qëndrojë. Ky është mesazhi i samitit.

“Shtetet anëtare duhet të marrin të gjitha masat ligjore dhe administrative për t’u dalë ballë këtyre lëvizjeve dhe të punojnë me ngushtë së bashku”, thuhet në deklaratën e samitit për ndalimin e “migracionit sekundar”. Kreu i qeverisë italiane, Giussepe Conti që kishte kërcënuar më parë me veto në samit, foli në mënyrë euforike pas arritjes së ujdisë. Pas këtij samiti Italia nuk është më vetëm, tha ai.

BE po kërkon po ashtu mundësi për ngritjen e kampeve edhe në Afrikë. Libia i kundërshtoi kampe të reja në vendin e saj. Shqipëria që u përfol, se do të ngrejë kampe të tilla, ka kundërshtuar. Në intervistë për “Bild”, kryeministri Edi Rama tha se “nuk duam të jemi valëthyesit e fluksit” dhe nuk duam qendra “nëse kjo do të thotë që njerëzit e dëshpëruar të lihen diku si mbetje toksike që nuk e do kush.”
/DW

Lajmi ParaLajmi Pas
©2018 All Rights Reserved Opinion.al
« Kthehu Rifresko