-Sociale

Alpha Bank dhuron mbi 6 mijë libra jashtëshkollorë për shkollat në të gjithë Shqipërinë

Në kuadër të përqasjes ndaj përgjegjësisë shoqërore të korporatës dhe angazhimit të vetë publik, Alpha Bank Albania dhuroi 6 100 libra jashtëshkollorë në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, në të gjithë Shqipërinë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Alpha Bank Albania pasuroi bibliotekat e shkollave në qytetet kryesore ku operon.

Në një event të organizuar në mjediset e shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë, znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, shfaqi mirënjohjen e saj për këtë kontribut, të Alpha Bank dhe u shpreh se do të dëshironte shumë që edhe biznese të tjera t’i bashkohen kësaj nisme të filluar nga Alpha Bank. Ajo shtoi se kjo nismë shkon paralel edhe me nismën ‘’Unë lexoj’’ e ndërmarrë nga Ministria për të njëjtin qëllim, pasurimin e bibliotekave të shkollave me titujt më të mirë, përmirësimin e aftësive të leximit tek nxënësit duke e sjell librin më afër tij. Ne besojmë,- vijoi ajo- se zhvillimi i dashurisë për leximin të bën lexues të mirë, gjë që është esenciale për përmirësimin e aftësive të leximit tek nxënësit.

Georgios Papanastasiou, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, shprehu kënaqësinë se ky fond do të shërbejë për një çështje shumë të rëndësishme për shoqërinë, siç është edukimi cilësor.

“Alpha Bank Albania feston 20 vjetorin e vetë në Shqipëri, e përgjatë këtyre 20 viteve kemi mbështetur vazhdimisht sistemin arsimor, pasi ne besojmë se edukimi është një hap i rëndësishëm në jetën tonë, dhe se nuk është kurrë vonë për të mësuar gjëra të reja, mjafton të jetë dëshira për të mësuar. Ndaj, është detyrimi ynë që të kultivojmë dashurinë për dije, sa më herët që të kemi mundësi. Ne duhet të mbështesim brezin e ri në këtë rrugë të rëndësishme, duke u dhënë akses në një botë të re me informacion dhe imagjinatë.” – tha z. Papanastasiou.

Alpha Bank Albania është një prej bankave më të mëdha në vend, duke zënë një pozicion të konsiderueshëm në treg përsa i përket biznesit bankar me shumicë dhe atij me pakicë. Banka ofron një gamë të gjërë produktesh dhe shërbimesh, si depozita dhe produkte investimi, karta debiti dhe karta krediti, produkte të kreditimit bankar me pakicë dhe shumicë, si edhe shërbime për biznesin e vogël, atë të mesëm dhe për korporatat. Aktualisht, Alpha Bank Albania ofron shërbim cilësor për më shumë se 240 mijë klientë nëpërmjet një rrjeti të gjerë degësh në vend dhe kanale të tjera alternative, si 50 ATM, web banking dhe mobile banking, si dhe më shumë se 800 pika të pranimit të pagesave me kartë (POS).

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko