-Sociale, Aktualitet, Të Gjitha

Administratorët e pallateve do menaxhojnë fondet për hapësirat publike

Bashkia e Tiranës thotë se ka përcaktuar një fond prej 200 milionë lekësh që do të përdoret nga administratorët dhe banorët e lagjeve.

Ato do të përdoren për projekte infrastrukturore, për të adresuar një problem të caktuar në komunitet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj prezantoi sot Programin e “Fondit të Komuniteteve” që synon të nxisë bashkëpunimin efektiv në mesin e qytetarëve për përmirësimin e infrastrukturës së blloqeve të banimit dhe ruajtjen e ambienteve në pronësi të përbashkët.

“Bashkia do të vërë në këtë vit në dispozicion 200 milionë lekë që do të përdoren si një fond. Fillimisht për ta pilotuar tek të gjitha ato pallate me administratorë, ku administratori propozon në emër të banorëve një ndërhyrje, që mund të jetë veshje, lyerje, mund të jetë eficencë energjetike, hapësire lulishte, një ramp nëse ka personale me aftësi të kufizuar ku ndërtuesi e ka bërë pa të, panele diellore, një gamë ndërhyrjesh”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se për të marrë mbështetje nga fondi i Komuniteteve, së pari, qytetarët duhet të zgjedhin administratorin e pallatit të tyre.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko