Editorial, Te Fundit

A po i drejtohet politika shqiptare katarsisit?

Nga Mentor Kikia: Kriza në të cilën është zhytur politika shqiptare, padyshim që nuk është një krizë e zakonshme që do të zgjidhet me një kompromis ndarje pushtetesh. Në tryeza u konsumua gjithëçka dhe tashmë opozita i është drejtuar protestës në rrugë, ndoshta edhe të dhunshme. Pasi të gjithë dështuam në parashikime, si ata që shkruanin çdo ditë se “sonte do të bjerë qeveria”, ashtu dhe ata që mendonin se Basha do ti dorëzohet presionit të ndërkombëtarëve e do të shkojë në zgjedhje, tani kemi para syuve një realitet që nuk është më i mjegullt.

 

PD dhe aleatët e saj nuk futen në zgjedhje, edhe pse deklarohen të vendosur se zgjedhjet nuk do të bëhen, duke shpresuar ti pengojë përmes skenarit “Kavaja”. PS ka nisur zyrtarisht fushatën, dhe për opozitë ka zgjedhur të ketë sërish qeverisjen e Berishës 4 vjet më parë. Por në mënyrë triumfale njofton se do të sigurojë mazhorancën më të madhe që ka patur ndonjëherë një parti këto 27 vjet. Ndërsa LSI, që zotëron 30% të qeverisjes dhe pushtetit, do të dalë e vetme në zgjedhje.

 

PD erdhi deri këtu, pasi theu tabunë e kundërshtimit të ambasadorëve të vendeve të fuqishme si SHBA apo BE, apo duke refuzuar tu hapë derën politikanëve të rëndësishëm të dërguar nga Brukseli për ndërmjetësime në Tiranë. Më e keqja që mund të ndodhë nga ky aksion i opozitës është që protestat të prodhojnë dhunë. Por, me apo pa dhunë, me apo pa zgjedhje në 18 Qershor, ajo që është e sigurtë, është se PD nuk do të jetë më kjo që është pas këtij aksioni politik. Çadra është një zbor ushtarak, gjatë të cilit Basha ka forcuar rolin e tij dhe është konfirmuar si kryetar. Ndërsa ata që nuk e mbështesin, dhe një pjesë e mirë e gardës së vjetër, duket se kanë marrë rrugën e ikjes pa kthim.

 

Një zhvillim i rëndësishëm është dalja e LSI-së në zgjedhje e vetme, dhe me gjasë edhe në opozitë pas zgjedhjeve të 18 Qershorit. Me një mazhorancë të fortë, Rama nuk do të ndajë pushtet me LSI-në dhe kjo parti, që për 8 vjet ka shërbyer si patericë për të siguruar qeverisjen e PD-së dhe PS-së, do të provojë të jetë një parti e madhe edhe jashtë qeverisjes, ku nuk ofrohen vende pune.

 

Nga mungesa e PD-së mund të marrin frymë edhe disa parti të reja, si LIBRA apo Sfida, me nuanca të forta opozitare. Për të njëjtat arsye si LSI, ato do të duhet të jenë në opozitë, edhe sikur të ndërrojnë mendje sa i takon qëndrimit ndaj Ramës dhe qeverisjes socialiste.

 

Nësë zgjedhjet do të mbahen, pas 18 Qershorit do të kemi një realitet politik krejt të ndryshem. Një PS- superfuqi politike, një PD pa asnjë deputet dhe pa pjesën më të madhe të gardës së vjetër, një LSI që do të ketë provën e mbijetesës jashtë pushtetit dhe disa faktorë të rinj politikë. Por nuk duhet të harrojmë se ky realitet do të prodhohet nga numri më i ulët i votuesve që kanë marrë pjesë ndonjëherë në një proces zgjedhor. Ky realitet do të diktojë ndryshime të rëndësishme në skenën politike dhe këto ndryshime e këta faktorë, me gjithë sigurinë që jep kryeministri Rama, do të imponojnë zgjedhje të reja.

 

Nëse PD nuk do të dijë të riformatohet në këtë valë ndryshimesh, atëherë atë padyshim që e pret perëndimi, ashtu siç ndodhi me partitë tradicionale në Greqi dhe Francë. Nuk është cudi, që edhe pa dëshirën e saj, politika shqiptare të jetë futur në një proces katarsisi, i cili mund të prekë të gjithë lidershipin e vjetër politik.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko