Aktualitet, Editorial, Te Fundit

A ka ndonjë idealist Shqipëria?

Nga Reldar Dedaj

Krimi në Shqipëri jo vetëm sot, por gjithmonë ka qenë pasojë e një kompleksi të madh faktorësh dhe rrethanash. Politika tek ne jo vetëm ka dështuar t’a bëjë shtetin dhe shoqërinë e dëshirave dhe ëndrrave të të rinjve tanë, por s’ka qenë në gjendje as të identifikojë rreshqitjen graduale të Shqipërisë në një mentalitet anadollak dhe kriminal.

Shqiptarët kanë pasur një dyshim të vogël, tani ata janë bindur se të gjithë, pa përjashtim, vitet e fundit janë ulur këmbëkryq mbi një zjarr që djeg përbrenda, por që flaka as tymi mund të mos jenë dukur ende. Askush më nuk mund të bëjë të paditurin, as të aktrojë befasinë me një shfaqje kaq të përnjëhershme të forcës dhe agresivitetit të krimit në vend.

Përgjimet e dosjes “Habilaj” dhe lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me bandën në fjalë, është një ajsberg, një shpërfaqje e dukshme dhe e zhurmshme e asaj që flinte përbrenda prej kohësh. Dalja në skenë e Prokurorisë për të hetuar një rast të tillë ishte diçka e pritur dhe e domosdoshme, por me siguri, sado që pak e ngadaltë makina e drejtësisë diku ka ngecur. Dhe nganjëherë është sabotuar me qëllim.

Vetëm katër vite më parë, shfaqja në skenë të hapur e Mark Frrokut, Armando Prengës dhe Arben Ndokës në Shqipëri më shumë ishte pasojë e trimërimit dhe e karshëllekut që njerëz me rekorde kriminale i bëjnë shtetit dhe opinionit shqiptar, sesa nënshtrim ndaj tij. Tani ata haptas po e sfidojnë jo më Shqipërinë si shtet, por edhe shoqërinë shqiptare në tërësi.

Shqiptarët i gjen gjithmonë të gatshëm të përfshihen në debate dhe zënka politike, por nuk janë asnjëherë në gjendje të flasin për një fenomen të ngjashëm, aq shoqëror, botëkuptimor, kulturor dhe të drejtë siç është krimi i organizuar në vend. Ka edhe nga ata gazetarë të ndryshëm, me ose pa karizëm publik, të cilët shfaqen të gatshëm të përfshihen në zënka të ndryshme, madje edhe duke treguar se kush me kë e kalon natën, por nuk janë të gatshëm të përballen me një sfidë të këtillë. Pse, a kanë frikë? Po.

Ta merr mendja se Shqipëria, ndryshe nga çdo vend tjetër i botës, ka mbetur pa asnjë idealist? Para njëzet e ca vitesh, Shqipëria u bë demokratike, por tashmë askush nuk e çan kokën për vlerën e kësaj demokracie, sepse ajo është zhgënjyese deri në pendesë. Idealistët e orëve të para u bënë pushtetarë, e pushteti dalëngadalë u shndërrua në fitim dhe biznes. Duke krijuar kështu, rrugën më të shkurtër, nga politika tek krimi.

Nga ana tjetër, klasa jonë politike, trimërohet ndaj medias; fyen dhe shan këdo gazetar që i prek bishtin. Por klasa jonë politike është në masë e prapambetur, e padijshme, e korruptuar, e çoroditur. Në këtë pikë nuk ka ndonjë ndryshim ndërmjet partive politike. Të gjithë e dimë se klasa jonë politike prodhon institucione të brishta, gjeneron krizë, riciklon korrupsionin, është e lidhur me krimin e organizuar.

Sakaq, ajo po përpiqet të izolojë gjithçka si në një kuti të errët, për të shpëtuar ministrin pirat. Kanë izoluar fuqinë ligjore të Kuvendit.

Sipas ligjit, deputeti nën hetim nuk merr në pyetje prokurorinë, por dorëzohet para prokurorisë dhe gjykatës. Sipas ligjit dhe moralit, kur kapet deputeti në bandë, ky dorëzohet menjëherë në pranga me qëllim që të mos prishë provat. Po sipas ligjit, vota e qytetarëve nuk kthehet në mburojë e krimit.

Mirëpo, në gjithë këtë histori, të gjithë pa përjashtim bëjnë të pafajshmin, të paditurin, të gjithë i lajnë duart si Ponc Pilati.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko