Editorial, Kryesore

A është mirë me qenë shqiptar?

Nga Desada Metaj 

Një marrëveshje e re mes Greqisë dhe Shqipërisë, siç ka ndodhur me thuajse të gjitha marrëveshjet mes dy fqinjëve u shndërrua në mollën e sherrit mes politikës dhe një pjese të ndjeshme të opinionit publik. Ishin takimet mes dy ministrave të jashtëm, posaçërisht ai i fundit në Korçë që ndezën fitilin e zjarrit thuajse të pashuar të debatit politiko patriotik shqiptar.

Ndërsa, pala shqiptare u tregua e rezervuar në publikimin e detajeve të takimit, ishte ministri Kotzias ai që informoi publikun grek, po ashtu i ndjeshëm për problematikën e marrëdhënies me shtetin fqinj. Dhe sigurisht që pjesa me dëlikate, ajo e marrëveshjes detare nga ku buruan dhe akuzat për shitjen apo faljen e territorit shqiptar në këmbim të një mbështetje të Greqisë për hapjen e negociatave, zuri dhe vendin më kryesor në debatin publik të dy ditëve të fundit.

Ajo që dihet me siguri është që Shqipëria do të negociojë një marrëveshje të re për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë. Kjo duket krej normale pas rrëzimit që gjykata kushtetuese i bëri marrëveshjes që qeveria Berisha nënshkroi me palën greke. Një vendim gjykate që në fakt shërbeu për shumë kohë dhe si kalë beteje për Edi Ramën, asokohe në opozitë. Me një shikim të shpejtë, pika e parë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshme marrëveshjen e qeverisë Berisha thotë : “mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes”.

Por tani që vendet janë këmbyer nuk dihet se si dhe sa ka informuar ministri i Ramës presidentin e vendit. Ky i fundit në një të vetmin reagim, me gjuhë diplomatike dhe të kujdesshme ka deklaruar se po ndjek zhvillimet dhe debatin. Por zyrtarisht, burime të opinion.al bëjnë me dije se ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk ka raportuar ende zyrtarisht tek kreu i shtetit. Krejt ndryshe nga homologu i tij, që me të mbërritur në Athinë u takua dhe informoi presidentin dhe kryetarin e parlamentit për takimin dy ditor me homologun shqiptar. Ditmir Bushati u detyrua të bënte një deklaratë për shtyp vetëm pasi Kotzias me daljet e tij publike zbardhi detaje të marrëveshjes.

Në fakt, marrëveshja detare, ligji i luftës, pronat e popullsisë çame, varrezat e ushtarëve grekë apo dhe ndryshimet e teksteve shkollore janë episode patriotike që nuk ndikojnë drejtëpërsëdrejti në cilesinë e rrënuar të jetës së shqiptarëve. Të mësuar me skandale ministrash që bashkëjetojnë me krimin, trafikantët dhe korrupsionin, një marrëveshje sado cënuese për disa km vijë bregdetare mund të shërbejë  thjesht si thërrime për të peshkuar patriotizmin dhe për të ndezur debatin polifoniko -patriotik. Një sport të preferuar për shqiptarët, që në pjesën më të madhe janë gati të harrojnë kriminalizimin,vjedhjen nga koncensionet,rritjen e taksave, shëndetësinë e rrënuar, vetëm e vetëm për t’u përfshirë në një debat me patriotë dhe tradhtarë. Që në fakt është thjesht telenovela e radhës, e servisur me kujdes ndërkohë që pjesa më e rëndësishme, marrëveshja e re me Greqinë mbetet e paqartë për të gjithë shqiptarët.. .

Një marrëveshje që mbi të gjitha ka nevojë për transparencë, ekspertë të zotë dhe jo vasalë partish dhe pse jo, bashkëpunimin  me të gjithë institucionet përgjegjëse dhe ato kushtetuese. Së paku, për t’u treguar shqiptarëve se për ata që na drejtojnë, patriotizmi nuk është vetëm kisha greke e Dhërmiut që përdoret nga Edi Rama për të marrë vota, as premtimet për pronat e çamëve për të afruar PDIU-në në qeveri. Dhe aq më pak të jetë streha e fundit e një kabineti skandalesh që më shumë se disa km det, ka mbjellë dhe shitur kaq shumë kanabis sa do të mjaftonte të blinte dhe një ishull të pabanuar grek.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko