Komente

A do ndryshojë Qeveria për Krishtlindje?

               Publikuar në : 20:03 - 23/12/18 |
ri.de.

Kryeministri Edi Rama i mandatuar për herë të dytë në shtator 2017 për të qeverisur vendin kishte planifikuar ndryshime në kabinet në shtator 2018. Ato nuk ndodhën!

Të shtunën e 27 tetorit u lajmërua largimi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme”, shkruante Rama. Arsyet e largimit, Xhafaj nuk i tregoi asnjëhere publikisht, por mediat hodhën dyshime se ato kanë ardhur për shkak të përplasjes së klaneve brenda PS-së. Xhafaj u largua fill pas një aksioni të suksesshëm ku u godit banda e drogës së Shijakut. Mes 44 të arrestuarve ishin dhe dy ish-deputetë të PS, Arben Ndoka dhe Arben Cuko. Partia Demokratike akuzoi se në përgjime ka dalë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

Por fundi i vitit e gjeti qeverinë “Rama 2” në situatë të vështirë. “Protesta e studentëve ishte shuplakë për qeverinë”, pranoi Kryeministri kur me mijëra studentë kërkuan uljen e tarifave, kushte më të mira në konvikte, etj. Po kështu janë banorët e Unazës së Re që protestojnë kundër shembjes së banesave, banorë të Bregut të Lumit, Shkozës, etj.

Projekti i Unazës së Madhe nxorri në pah një skandal të përmasave të mëdha. U vertetua se kompania që kishte fituar tenderin 18 milionë euro për mbikalimin tek “Shqiponja”, “Dh Albania” ka falsifikuar dokumentet. Zëri i Amerikës shkroi se pas kësaj kompanie qendron biznesmeni Bashkim Ulaj. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë nga prokuroria, ndërsa opozita ka denoncuar çdo ditë se në këtë segment rrugor janë planifikuar të vidhen miliona lekë nga Rama e Gjiknuri.

Në gjithë këtë valë protestash e akuzash dhe mbi të gjitha para zgjedhje lokale të qershorit 2019, kryesocialisti Rama ka vendosur të mbledhë Kryesinë e PS-së më datë 24 Dhjetor (e hënë). “Në Kryesi do të përcaktohet edhe axhenda e Asamblesë së PS që pritet të mbajë më 28 dhjetor. Burime nga PS sqarojnë se deputetëve socialistë u është komunikuar që në këto dy mbledhje do të diskutohet bilanci politik dhe qeverisës i Partisë Socialiste në këtë vit që po mbyllet”, shkruan gazeta “Panorama”.
Mendohet se Asambleja e datës 28 dhjetor mund të prodhojë edhe surpriza sa u takon ndryshimeve në qeveri.

Kësisoj Viti i Ri duket se nuk do të gjejë në karrige disa prej ministrave të kabinetit “Rama 2”. Analisti Baton Haxhiu në emisionin e të enjtes në “Opinion” paralajmëroi ndryshimet në qeveri. Ai tha se Rama nuk ka pse mban përgjegjësi për ministrat e dështuar. Nga ana tjetër edhe gazetari Sokol Balla shkruan sot se ndryshimet në qeveri nuk do të prekin Mbrojtjen, Drejtësinë dhe Diplomacinë, duke parashikuar ndryshime në gjithë dikasteret e tjera.

Po kështu në portalin që menaxhohet nga stafi i Kryeminisrit “Ertv.eu” është hapur një sondazh me pyetjen: “A ka nevojë për ndryshime në Qeveri?Jepni mendimin tuaj Pro/Kundër për punën e secilit prej ministrave”.

Kësisoj java që vjen që përkon dhe me festën e Krishlindjeve do të jetë vendimtare për të mësuar se kush ikën dhe kush vjen në qeverinë “Rama 2”. /Riviera Dedaj-Opinion.al

____
Kabineti aktual

Edi Rama- Kryeministër
Senida Mesi -Zv/kryeministre
Sandër Lleshi-Ministër i Brendshëm
Ditmir Bushati – Minister i Jashtëm
Olta Xhaçka – Ministre e Mbrojtjes
Etilda Gjoni – Ministre e Drejtësisë
Arben Ahmetaj – Ministër i Financave
Damian Gjiknuri – Ministër i Energjisë dhe Infrastukturës
Lindita Nikolla -Ministre e Arsimit
Ogerta Manastirliu – Ministria e Shëndetësisë
Niko Peleshi – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Blendi Klosi – Ministër i Mjedisit dhe Turizmit
Mirela Kumbaro – Ministre e Kulturës
Pandeli Majko – Ministër Shteti për Diasporën
Sonila Qato – Ministre e Shetit për Sipërmarrjen

*Foto ilustruse: Betimi ne Presidence i qeverise “Rama 2”

Pas