Aktualitet

8 nëntor 1941, dy jugosllavët dhe 15 themeluesit e PKSH-së

               Publikuar në : 20:10 - 08/11/18 |
rel d
“U themelua partia”. Fotomontazh ngjasues i pikturës së njohur

Nga Kastriot Dervishi

Një pikturë e një artisti ka skalitur në vite tablonë “U themelua partia”. Përveç fytyrave të E.Hoxhës (që del si udhëheqës), Qemal Stafës dhe Vasil Shantos, 12 të tjerët janë krejt anonimë. Sigurisht as themeluesit e vërtetë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha as shihet ku janë. Asnjëherë historiografia komuniste nuk i publikoi të plotë emrat e 15 themeluesve të Partisë Komuniste Shqiptare. Si është e vërteta e formimit të PKSH-së në 8 nëntor 1941? Historia e përmbledhur shkurt në vijim. Në mes të gushtit 1941, Fadil Hoxha erdhi në fshatin Vitomiric të Kosovës vend ku kishin qendrën komunistët jugosllavë të Kosovës. Kërkoi që dikush nga komiteti krahinor të shkojë në Shqipëri. Në mungesë të Miladin Popoviçit, komiteti dërgoi Dushan Mugoshën. Ky i fundit, u nis me Fadil Hoxhën në Shqipëri duke udhëtuar nga Prizreni në Shkodër. Në Tiranë Mugosha formoi udhëheqjen e përbashkët të grupeve komuniste të Shkodrës dhe të të Rinjve, përjashto atë të Korçës, sepse ata duke biseduar nuk pranuan. Pasi Enver Hoxha u informua për këto zhvillime në dyqanin “Flora” nga Tahir Kadareja, nxitet Koço Tashko, të shkojë në Vitomiricë të Pejës për për të kërkuar ardhjen edhe njëherë në Shqipëri të Mugoshës. Takimi në Vitomoricë u bë më 11.10.1941, të njëjtën ditë që Miladin Popoviçi, pasi u lirua nga internimi, mbërriti në Tiranë. U arrit krijimi i një komisioni që do përgatiste formimin e PKSH-së (të tre u vranë). Pas takimeve paraprake, u zhvillua mbledhja për themelimin e PKSH-së në shtëpinë e marrë me qira prej nëpunësit Xhemal Haxhicani nga grupi i Shkodrës. Por, për arsye të pasqaruara, mundet objektive, dy grupe nuk u paraqitën ditën e parë me të 6 delegatët e tyre. Kësisoj, i vetmi grup me anëtarësi të plotë ishte ai i Korçës. Mbledhja themeluese u zhvillua më 8-14 nëntor 1941. Përbërja e delegatëve ishte kjo:

Grupi Komunist i Korçës

1-Koço Tashko

2-Enver Hoxha

3-Pilo Peristeri

4-Koçi Xoxe

5-Sotir Vullkani

6-Sotir Lubonja

Grupi i Komunist i të Rinjve

1-Ramadan Çitaku

2-Anastas Lula

3-Sadik Premte

4-Elami Nimani

5-Perlat Rexhepi

Grupi Komunist i Shkodrës

1-Qemal Stafa

2-Vasil Shanto

3-Kristo Themelko

4-Tuk Jakova

Pasi dy jugosllavët deklaruan themelimin e partisë, u formua Komiteti Central Provizor:

1-Qemal Stafa, për drejtimin e rinisë antifashiste

2-Koçi  Xoxe, sekretar organizativ për celulat

3-Tuk Jakova, sekretar organizativ për celulat

4-Gjin Marku, përgjegjës për organizimin e çetave

5-Ramadan Çitaku, përgjegjës për teknikën e partisë

6-Kristo Themelko, përgjegjës për organizimin e çetave

7-Enver Hoxha, përgjegjës për anën financiare

Menjëherë pas themelimit të partisë, u bë organizimi në bazë, duke formuar për çdo prefekturë (qark) ishte një komitet qarkor. Në atë kohë Shqipëria kishte 10 prefektura. U zgjodhën fillimisht 7 komitete qarkore. Ngelën të paorganizuara për disa kohë qarkorët në prefekturat e Beratit, Kukësit e Dibrës. Dokumentacioni i themelimit të partisë u zbulua nga fashistët më 4 maj 1942 në shtëpinë e marrë me qira nga Zef Ndoja, i cili u arrestua. Emrat themelues të partisë, i kam nxjerrë nga përshkrimi që u është bërë fletoreve të procesverbalit. Ato humbën gjatë procesit masiv të shkatërrimit të arkivave sapo komunistët morën pushtetin në vitin 1944.

Miladin Popoviçi u mor me organizimin e partisë nga pikëpamja politike, ndërsa Dushan Mugosha nga ajo ushtarake, duke u kujdesur që partisë t’i japë një profil të qartë terrorist./55News.al

 

Pas