-Sociale, 2

7 foshnja vdesin gjatë 10 ditëve në Tiranë, mjekët tregojnë çfarë ka ndodhur

Kanë qenë anomalitë shëndetësore ato që kanë çuar në humbjen e jetës së foshnjave në Maternitetin e Ri dhe jo mungesa e inkubatorëve apo vendeve të oksigjenimit, shkruan “Panorama”.

Të paktën kjo është ajo që pretendohet jozyrtarisht nga mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”.

Sipas informacioneve nga ky spital, në harkun e 10 ditëve kanë ndërruar jetë 7 foshnja, 4 nga të cilat kanë lindur para kohe ndërsa tri të tjera kanë lindur me probleme shëndetësore.

“Në këto rrethana ka qenë gati e pamundur mbajtja e tyre në jetë”, pohohet nga mjekët. Por, pavarësisht këtyre informacioneve të dhëna nën zë, ka munguar një qëndrim zyrtar nga strukturat drejtuese të spitalit apo edhe Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë situatë të krijuar vetëm në harkun e 10 ditëve të para të këtij viti.

Çfarë mësohet, po ashtu, është edhe se tri nga foshnjat që kanë lindur me probleme shëndetësore, janë nga paciente të dërguara nga spitalet rajonale, përkatësisht nga Rrogozhina, Librazhdi dhe Saranda.

Këto fëmijë, pavarësisht kujdesit mjekësor, nuk ia kanë dalë. Të njëjtin fat kanë pasur edhe 4 foshnja të tjera, të cilat kanë lindur para kohe, përkatësisht në javën e 26-të të shtatzënisë së nënës. Pas një kujdesi disajavor në inkubator, ato, po ashtu, kanë ndërruar jetë.

Ndërkohë, në denoncimin e bërë nga deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia, pretendohet se rastet kanë përfunduar në fatalitet nga mungesa e kushteve. Numri i kufizuar i inkubatorëve dhe vendeve të oksigjenimit ka bërë që foshnjat të mos marrin kujdesin e domosdoshëm mjekësor.

Por kjo akuzë hidhet poshtë nga mjekët e spitalit, të cilët thonë po ashtu se nuk ka mungesa dhe shërbimi është ofruar në kushte optimale.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko